Tatimi me ligjin e ri: Dy rastet me profesionet e lira, kush rrezikon falimentin?

Nga A2 CNN
24 Qershor 2022, 12:24 | Ekonomi
Tatimi me ligjin e ri: Dy rastet me profesionet e lira, kush rrezikon

Ligji i ri për tatimin mbi të ardhurat, që qeveria ka hedhur për konsultim publik, pritet të ketë ndikim tek profesionet e lira. Bëhet fjalë për avokatët, kontabilistët, mjekët, dentistët etj., të cilët prej dy vitesh nuk kanë paguar taksat, së bashku me biznesin e vogël me xhiro deri më 14 milionë lekë në vit. Me draftin e ri, situata ndryshon tërësisht.

Argumenti që një pjesë e profesioneve të lira të përfshihen në skemën e taksimit mbështetet tek shmangia që kanë bërë shumë individë që ofrojnë shërbime të tilla.

Lidhur me këtë çështje, situata me profesionet e lira parashtron dy raste:

Rasti i parë është kur individi bie dakord me kompaninë ku punon që për të njëjtën punë të mos jetë punëmarrës dhe të mos paguajë tatim për pagën në bazë të taksës progresive, por të regjistrohet si person fizik me NIPT dhe të mos paguajë tatim për të ardhurat që siguron. Ky individ paguan vetëm sigurime shoqërore e shëndetësore dhe taksat vendore.

Rasti i dytë është kur një individ është i punësuar diku dhe paguan tatim në bazë të pagës. Paralelisht për shërbime të tjera që ofron, ai është regjistruar si person fizik me NIPT dhe nuk paguan tatim për të ardhurat që siguron nga këto shërbime. Por vetëm sigurime shoqëror e shëndetësore, si dhe taksat vendore.

Ligji i ri do të prekë pikërisht këtë kategori dhe do të rrezikojë që të çojë në mbylljen e këtyre subjekteve. Kjo pasi individit i bie më mirë që të mbyllë NIPTI-n dhe të paguajë 15% tatim në burim për shërbimet shtesë, sesa të mbajë të hapur NIPT-in dhe krahas 15% që do të vendoset tatim me ligjin e ri, të paguajë edhe kosto të tjera, si sigurimet shoqërore e shëndetësore, taksat vendore apo edhe të punësuar të tjerë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos