Ndërsa në shumë vende kanabidioli ose CBD njihet si një narkotik, në vende të tjera të botës kjo substancë premton të bëhet një zgjidhje ekonomike dhe e pastër kundër mushkonjave. Dhe jo çdo mushkonjë, por ato të specieve Aedes aegypti, mushkonja e etheve të verdha, bartëse e një serie të gjatë sëmundjesh tropikale shumë të rrezikshme dhe potencialisht vdekjeprurëse për njerëzit, shkruan A2.
Një studim i botuar në revistën “Insects” tregon se larvat e tyre janë të prekshme ndaj CBD, e cila për këtë arsye mund të bëhet një alternativë ndaj insekticideve klasike.
Problemi me insekticidet kundër mushkonjave të etheve të verdha është se pas vitesh ekspozimi po humbasin efektivitetin. Siç raporton A2, mushkonjat "mësohen me të" dhe nuk ngordhin. Kjo është arsyeja pse prej vitesh kërkohen alternativa dhe CBD është aktualisht më premtuesi.
Për të testuar efektivitetin e tij, ekipi i Universitetit Shtetëror të Ohajos që kreu studimin përgatiti një koncentrat CBD dhe e shtoi atë në ushqimin e larvave të mushkonjave të rritura në laborator. Çdo ekzemplar u ekspozua ndaj një përqendrimi të ndryshëm të substancës, për të zbuluar se sa shumë nevojitet për t'i vrarë ato.
CBD është dëshmuar të jetë jashtëzakonisht efektiv: 100% e larvave të studiuara ngordhën, pak a shumë shpejt në varësi të përqendrimit të substancës (sa më e lartë të jetë, aq më vdekjeprurëse është). Nuk është ende e qartë se si CBD ndërvepron me metabolizmin e larvave të mushkonjave dhe çon në ngordhjen e tyre, por nuk ka dyshim se është një insekticid veçanërisht efektiv, raporton A2.
Për më tepër, kërpi nga i cili merret CBD është një bimë që rritet shpejt dhe kushton pak për sa i përket mirëmbajtjes, prandaj mund të përdoret për të prodhuar insekticide ekonomike dhe ekologjikisht më të qëndrueshme se ato që përdorim tani.
Hapi tjetër do të jetë studimi i ndikimit të CBD tek kafshët e tjera që rrezikojnë të ekspozohen ndaj tij në rast të trajtimit në natyrë. Për shembull, nëse është i padëmshëm për pjalmuesit, të cilët janë ndër viktimat e para indirekte të insekticideve tradicionale. (A2 Televizion)