Mbi 6000 persona kanë firmosur një peticion për të rikthyer një maçok në një dyqan ushqimesh në qytetin e Zelenogradsk, në rajonin e Kaliningradit të Rusisë.
Maçoku kishte qëndruar në këtë ambient për 3 vite, por autoritetet e shëndetit kishin vendosur largimin e tij nga dyqani pasi kishin marr një ankesë anonime.
Sipas menaxheres së marketit, Tatiana Gorbunova, maçoku i quajtur Sergei ishte strehuar aty, pasi pronarja e tij, një grua e moshuar, kishte ndërruar jetë.
“Ai erdhi tre vite më parë. Nisi që në gusht dhe ne po e ushqenim. Vinte, rrinte pak dhe largohej. Por më pas u ftoh, e po rrinte më shumë, dhe kur erdhën ngricat natyrisht, nuk mundëm ta dëbonim ndaj i bëmë një vend ku të qëndronte. Kështu nisi të qëndronte këtu tek ne. Ne i dhamë një vend pune dhe maçoku u bë punonjësi ynë”, tha menaxherja e dyqanit, Tatiana Gorbunova.
Mediat lokale e konsiderojnë Sergein si një personazh të famshëm për zonën, kjo falë videove të shumta që janë bërë virale në rrjetet sociale. Maçoku u shfaq në disa reklama dhe një kalendar, fitoi titullin "punonjësi i vitit" dhe madje mori menaxherin e tij personal.
Pas ankesës anonime, departamenti lokal i sigurisë së konsumatorit, kërkoi nga menaxherja e marketit ta largonte maçokun, ose në të kundërt do të përballej me gjoba, paralajmërim të cilin Tatiana e kishte marr parasysh.
“E kuptuam që po shkelnim rregullat, por imorëm këto rreziqe”,
Qyteti i Zelenogradsk është i njohur për popullsinë e tij prej mbi 70 macesh endacake që jetojnë në rrugë. Banorët vendas dhe turistët inkurajohen të blejnë ushqim për ta nga makinat e posaçme shitëse dhe t'u japin një kujdes të butë dhe të dashur (A2 Televizion)