Një 29-vjeçare holandeze, së cilës i është plotësuar kërkesa për “vdekje të asistuar”, pritet t'i japë fund jetës së saj në javët e ardhshme, duke nxitur debate në të gjithë Evropën mbi këtë çështje.
Zoraya ter Beek mori miratimin përfundimtar javën e kaluar për vdekjen e asistuar pas një procesi që zgjati tre vjet e gjysmë sipas një ligji të miratuar në Holandë në 2002.
Rasti i saj ka shkaktuar polemika pasi asistimi i vdekjes për njerëzit me sëmundje psikiatrike në Holandë mbetet i pazakontë, megjithëse shifrat janë në rritje.
Në vitin 2010, u regjistruan dy raste që përfshinin vuajtje për shkak të problemeve psikiatrike; në vitin 2023, u regjistruan 138: 1.5% e 9068 vdekjeve nga eutanazia.
Një artikull për rastin e saj, i botuar në prill, u mor nga mediat ndërkombëtare, duke i shkaktuar të resë akoma më shumë stres.
Ajo tha se ishte e kuptueshme që raste të tilla si ajo - dhe çështja më e gjerë nëse vdekja e ndihmuar duhet të ishte e ligjshme, mund të shkaktojnë debate.
“Njerëzit mendojnë se kur ke probleme me shëndetin mendor, nuk mund të mendosh drejt, gjë që është fyese,” tha ajo për Guardian.
“Unë e kuptoj frikën që kanë disa njerëz me aftësi të kufizuara për vdekjen e asistuar dhe shqetësimet për njerëzit që janë nën presion për të vdekur. Por në Holandë, ne e kemi këtë ligj për më shumë se 20 vjet. Ka rregulla vërtet strikte dhe është vërtet e sigurt.”
Sipas ligjit holandez, për t'u kualifikuar për një vdekje të asistuar, një person duhet të përjetojë "vuajtje të padurueshme pa asnjë perspektivë përmirësimi" .
Ata duhet të jenë plotësisht të informuar dhe kompetentë për të marrë një vendim të tillë.
Vështirësitë e Ter Beek kanë filluar në fëmijërinë e hershme. Ajo ka depresion kronik, ankth, trauma dhe çrregullim të personalitetit të paspecifikuar. Ajo gjithashtu është diagnostikuar me autizëm.
Pas takimit me ekipin e saj mjekësor, Ter Beek pret që t’u japë fund vuajtjeve të saj në javët e ardhshme. (A2 Televizion)