James Cameron, krijuesi i sagës “Terminator” dhe regjisor i dy pjesëve të para të saj, ka tronditur themelet e kësaj sage me deklaratat e fundit. Regjisori dëshiron të eliminojë ikonat e 40 viteve të fundit të “Terminator”-it. Ai nuk e ka përmendur drejtpërdrejt, por kjo do të thotë të heqësh dorë nga shfaqja në filma e Arnold Schwarzenegger si Terminator T-800 dhe Linda Hamilton si Sarah Connor. Në vend të tyre, Cameron dëshiron të vazhdojë sagën me aktorë dhe personazhe të rinj.
Në një intervistë me “Empire”, James Cameron ka zbuluar detaje për të ardhmen e sagës “Terminator”, që mbush 40 vjeç në tetor 2024. Në përgjithësi, ai duket se dëshiron të bëjë filma të rinj “Terminator” pa Arnold Schwarzenegger dhe Sarah Connor, nënën e John Connor, udhëheqësi i rezistencës njerëzore në të ardhmen e dominuar nga robotët, shkruan A2.
Cameron deklaroi: “Ky është momenti kur duhet braktisur gjithçka që ka qenë specifike në dyzet vitet e fundit. Kur përfshihesh shumë, humb audiencën e re sepse ajo është më pak e interesuar për historinë sesa mund të mendoni. Është një rrezik me të cilin përballet edhe “Avatar”-i, por mendoj se kemi dëshmuar se mund të krijojmë histori të reja për audiencë të re”.
Arsyetimi i regjisorit për të lënë pas këta personazhe është se ata janë përdorur shumë herë gjatë gjithë sagës. Në vend të kësaj, ai preferon të fokusohet në premisën bazë të komplotit, por të aplikuar për personazhe krejtësisht të rinj: “Nuk kam asnjë dyshim që filmat e ardhshëm “Terminator” jo vetëm që janë të mundshëm, por do të jenë edhe të mirë. Por kjo është koha për të hequr dorë nga ikonografia kaq specifike për sagën”.
Edhe pse regjisori i filmit nuk e ka thënë, një arsye tjetër për t'i braktisur personazhet e famshëm mund të jetë mosha e këtyre aktorëve: Schwarzenegger është 77 vjeç dhe Hamilton 67 vjeç. Mosha i bën ata gjithnjë e më pak të përshtatshëm për role aksioni.
Në gusht 2024, James Cameron foli publikisht për herë të parë për filmin e radhës në sagë “Terminator 7”, titulli i të cilit ende nuk është konfirmuar. Në intervistën e tij të fundit në “Empire”, Cameron ka dhënë disa detaje më shumë rreth saj, kryesisht në lidhje me drejtimin e ri që dëshiron t’i japë sagës.
“Ne kemi një plan për sagën dhe po e realizojmë. Kjo është gjithçka për të cilën mund të komentoj tani për tani”, tha ai.
Nga këto deklarata është e qartë se në “Terminator 7” nuk do të shfaqet as Arnold Schwarzenegger dhe as Linda Hamilton.
(A2 Televizion)