Manjati i hip hop-it, Sean "Diddy" Combs, i arrestuar mbrëmjen e djeshme në Nju Jork ndodhet sot i pranishëm në seancën gjyqësore të caktuar për rastin e tij, ku sipas CNN i është komunikuar akuza për trafikim seksual dhe konspiracion me qëllim shantazhin.
Aktakuza federale ndaj tij është pjesë e dosjes gjithëpërfshirëse prej 14 faqesh. Pavarësisht akuzave avokati i tij Marc Agnifilo tha se Combs do të deklarohet i pafajshëm. “Ai nuk është fajtor. Ai është i pafajshëm", u tha Agnifilo gazetarëve teksa hynte në gjykatën në Manhatan.
Ai nënvizoi se parashikon një "betejë të gjatë me një rezultat pozitiv për Combs".
Diddy ka qenë objekt i një hetimi federal që rrjedh nga akuzat për sulm seksual të bëra në disa padi kundër tij. Ishte padia e ish-të dashurës së tij, këngëtares Cassie Ventura vitin e kaluar, e cila ngjalli interesim për jetën personale të reperit dhe manjatit të muzikës.
Në padi, ajo dokumentoi marrëdhënien e tyre dhe pretendoi se Diddy e përdhunoi dhe e nënshtronte për vite të tëra të mbushura me abuzime të përsëritura fizike.
Kjo ka ngritur spekulime se kush ishte dhe kush është Combs pas dyerve të mbyllura në marrëdhëniet e tij me gra të ndryshme që nga nëna e tij, Janice Combs e deri te e ndjera Kim Porter, e cila ishte nëna e tre prej fëmijëve të tij biologjikë. (A2 Televizion)