Pamje të reja të kamerave të sigurisë, të publikuara nga CNN duket se mbështesin disa prej akuzave për abuzim kundër yllit të muzikës, Sean Diddy Combs. Videoja tregon, Combs ndërsa sulmon atëherë të dashurën Cassie Ventura në korridorin e një hoteli në Los Angeles në mars të 2016-tës.
Një padi e ngritur nga Ventura në nëntor të vitit të kaluar, e cila u zgjidh një ditë më vonë, i referohej akteve që duket se përputhen me ato të para në video. Sipas padisë, Combs, në zemërim e sipër kishte qëlluar me grusht në fytyrë atëherë të dashurën, duke I mavijosur syrin. Siç thuhet, akti kishte detyruar Venturën të largohej nga dhoma e hotelit.
Videoja e siguruar nga CNN, nis me pamjet e gruas që shfaqet në korridor. Në padi thuhej se teksa Ventura dilte, reperi ishte zgjuar dhe kishte filluar ti bërtiste asaj. Ai e kishte ndjekur në hollin e hotelit mes britmave. Gjithashtu sipas padisë, artisti kishte marrë një vazo të qelqtë dhe e kishte qëlluar me të. Teksa Ventura duket e shtrirë përdhe, Combs e qëllon me shkelma, dhe përpiqet ta tërheqë drejt dhomës së hotelit.
Çifti ishte në një lidhje disa vite më parë, pas njohjes në 2005. Ata u ndanë në vitin 2019. Avokati i gruas komentoi se videoja kishte konfirmuar sjelljen shqetësuese dhe predatore të Combs. Pamjet e pa publikuara më parë, vijnë teksa këngëtari përballet me një sërë akuzash lidhur me përfshirje në trafikim dhe abuzime seksuale. (A2 Televizion)