Në vitin 2006 i hapeshin portat e ekipeve kundërshtarëve si sulmues i Kombëtares italiane me të cilën do shpallej kampion bote në Berlin. Sot 12 vjet më vonë për Vincenzo Iakuintën hapen dyert e qelisë të burgut në Rexhio Emilia, gjykata e së cilës dënoi ish sulmuesin e Juventusit me 2 vite burg, me akuzën e armëmbajtjes pa leje.
Dënimi i ish futbollistit lindur në Krotone të Kalabrisë vjen si pasojë e provave të mbledhura gjatë procesit gjyqësor i quajtur “Aemilia”, një nga goditjet më të mëdha të drejtësisë italiane ndaj klaneve mafioze të ‘ndranghetas kalabreze, me 160 persona të arrestuar.
I ati i Iakuintës, Giuseppe, u dënua nga Gjykata me 19 vjet burg me akuzën e “pjesëmarrjes në organizatë mafioze”. Ish kampionit iu gjetën një revolver Smith&Wesson kalibër 357, si dhe një pistoletë tjetër, bashkë me qindra fishekë. Armët ishin të regjistruara nga Iakuinta, por ai ia kishte kaluar në mënyrë ilegale të atit, i njohur për miqësitë e tij me eksponentë të rrezikshëm të ‘ndranghetës.
Pak momente pas marrjes të vendimit, salla e Gjykatës kumboi nga ulërimat e dy Iakuintave, që bërtisnin “Turp!”, me sa zë kishin.
“Emrin e ‘ndranghetës as nuk dimë çfarë do të thotë, në familjen tonë”, u justifikua Iakuinta, i cili shtoi “më kanë shkatërruar jetën për asgjë, vetëm sepse jam kalabrez!”.
Vincenzo Iakuinta ka luajtur si sulmues me Udinezen dhe më pas për pesë sezone me Juventusin deri në vitin 2011. Suksesin më të madh sulmuesi e ka arritur me Kombëtaren italiane, ku ka luajtur 40 ndeshje me 6 gola të realizuar dhe një kupë të ngritur në Botërorin 2006, fotografinë e vetme që tifozët e “Azzurri” dëshironin ta kujtonin. (A2 Televizion)