Arta Vorpsi është betuar si anëtare e Gjykatës Kushtetuese në një zyrë noterie. Lajmi konfirmohet nga vetë zonja Vorpsi si edhe burime zyrtare nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi dhe nga vetë zyra noteriale ku është bërë betimi. Menjëherë pas betimit, Vorpsi është parë të futet në ambientet e Gjykatës Kushtetuese.
A2 disponon dokumentacionin noterial të firmosur nga noterja Miranda Xhemalçe, e cila garanton se Arta Vorpsi është betuar si anëtare e Gjykatës Kushtetuese, përmes një nënshkrimi deklarues. Në këtë shkresë të firmosur prej saj, Arta Vorpsi deklaron se “në cilësinë e gjyqtares së Gjykatës Kushtetuese, të emërtuar nga KED dhe të botuar në fletoren zyrtare, me vullnetin dhe gatishmërinë për të ushtruar menjëherë funksionin e gjyqtarit kushtetues dhe me dorën e vendosur mbi Kushtetutë, betohem se gjatë kryerjes së detyrave të mia do t’i qëndroj kurdoherë besnik Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë”.
Ndërkohë burime nga mazhoranca i thanë A2 se procedura është rakorduar me partnerët ndërkombëtarë dhe mbështetet në një rekomandim të Komisionit të Venecias, që i cilëson betimet si akte të thjeshta ceremoniale.
Lëvizja vjen pasi një ditë më parë Presidenti Ilir Meta dekretoi Marsida Xhaferllarin si anëtare të Gjykatës Kushtetuese, ndonëse sipas Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Vorpsi kaloi automatikisht në atë pozicion për shkak të pikëzimit dhe mos shprehjes së Presidentit me dekret për të.
Dublimi i kësaj vakance me dy emërime, një nga KED dhe një nga Presidenti, sjell një tjetër ngërç institucional në kthimin në funksion të Gjykatës Kushtetuese.
Pas vendimit të Presidentit, vetë Vorpsi u shpreh për A2 se ajo ndihej anëtare e Gjykatës Kushtetuese. “Unë e ndjej veten anëtare të Gjykatës Kushtetuese që ditën që Presidentit i skadoi afati. Nuk do e ndjek këtë çështje. I takon institucioneve ta zgjidhin”, tha ajo.
Ndërsa kreu i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED), Ardian Dvorani e cilësoi qëndrimin e Presidentit Meta si një deklaratë me një gjuhë joetike dhe joinstitucionale, lidhur me procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. (A2 Televizion)