Atentati ndaj prokurorit, Redjan Rraja mohon akuzën në gjyq. Zbardhet dëshmia në prokurori

Nga A2 CNN
3 Qershor 2022, 13:50 | Kronikë
Atentati ndaj prokurorit, Redjan Rraja mohon akuzën në gjyq. Zbardhet

Redian Rraja, i akuzuari i SPAK si një nga atentatorët e prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoja, nëntorin e vitit 2019, mohoi akuzat ndaj tij para Gjykatës së Posaçme.

“Nuk kam asnjë lidhje me ngjarjen. I qëndroj deklarimeve që kam dhënë gjatë hetimit, ndaj nuk dua të pyetem nga prokurori”, tha Rraja në seancën e së premtes. Në deklarimet e dhëna në vitin 2019, që u lexuan më pas nga prokurori në proces, Rraja jo vetëm që mohonte akuzën, por ngrinte dyshime për manipulim provash kundër tij.

I pyetur nga hetuesit për faktin se profili i ADN-së së tij përputhej me profilin gjenetik të përftuar në një palë syze, në një xhumë, në doreza e në një kapuç të sekuestruar në automjetin e braktisur nga atentatorët e Ndojës, Rraja ishte përgjigjur: “Nuk kam lidhje me ngjarjen për të cilën më akuzoni. Mua më janë marrë dy herë mostrat e pështymës dhe gjurmët e gishtave në Drejtorinë e Policisë. Nuk e di si janë përdorur e çfarë është bërë me to. Në një rast më janë marrë pa avokat, edhe pse kam kërkuar praninë e tij. Po ashtu, më kanë marrë shumë rroba në makinën time pas arrestimit”. 

Në të njëjtën seancë, Gjykata e Posaçme delegjitimoi nga procesi një prej avokatëve të Rrajës, Alban Bengasi, avokat i kërkuar nga drejtësia për llogari të dosjes “Plumbi i artë”.  

Në atentantin e ndodhur pranë mbikalimit të Shkozetit në aksin Durrës-Tiranë, u plagos prokurori Ndoja, aktualisht i shkarkuar nga vetting-u, pasagjeri tjetër Aleksandër Laho, i njohur si Rrumi i Shijakut dhe shoferi Andi Maloku, i cili ndërroi jetë pak ditë pas ngjarjes.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos