
Dimensioni politik që pason audio-përgjimet mbi 21 janarin kanë sigurisht një dimension që përtej pjesës juridike dhe vërtetësisë së tyre ka edhe një element politik.
Nga vjen ky material, nga situata e brendshme në PD, që në kohën e ngjarjeve ishte në pushtet.
Por analisti Sami Neza, i ftuar në ”Debat”, nuk e sheh të lidhur me situatën e brendshme të Partisë Demokratike, edhe pse emri i zotit Basha përmendet në transkriptet e përgjigjeve. “Është pothuajse e pamundur të dëgjohet se për çfarë flitet, në 70% të rasteve audio e përshkrimeve nuk kuptohet. Komponenti politik ekziston por nuk qëndron te PD-ja. Ka dalë ky dokument dhe PS e ka shndërruar në politike me padinë e sforcuar të Ulsi Manjës”.
Sipas tij, “kjo është një tentativë për të tërhequr vëmendjen nga skandalet e sotme të qeverisë shqiptare, por edhe për të mbajtur gjallë propagandën sepse 21 janari mbetet një ngjarje tragjike por ku në 12 vjet nuk është bërë asgjë. Nuk kemi dëgjuar gjë në lidhje me autorët e protestës së dhunshme, ajo ishte një protestë e dhunshme, që mund të krahasohet vetëm me atë të 14 shtatorit 1998”. (A2 Televizion)