
Ndërsa shumësportëshi në vend është futur në fazën më të rëndësishme, atë të “play off”-it, në të gjitha kategoritë kanë nisur të projektohen edhe finalet e mundshme.
Mbrëmjen e së dielës, Tirana e basketbollit të meshkujve dha leksione përballë Teutës në shtëpinë e tyre në Durrës. Ekipi i trajnerit, Erkand Karaj, fitoi me diferencën 83-71 gjysmëfinalen e parë. Bardheblutë, të cilët e mbyllën sezonin e rregullt në vendin e tretë, u shfaqën në formë në ndeshjen e parë në transfertë duke hedhur kështu një hap të rëndësishëm drejt finales së madhe.
Julian Hamati i bardhebluve ishte lojtari më rezultativ i ndeshjes me 22 pikë, 2 asist dhe 14 topa në tabelë. Ndeshja e dytë gjysmëfinale luhet këtë të enjte në “Farie Hoti” të kryeqytetit. Në rast suksesi të Tiranës, skuadra e Karaj kualifikohet në finalet e titullit, ndërsa në rast fitoreje të Teutës ndeshja i drejtohet një dueli të tretë që luhet përsëri në Durrës.
Çifti tjetër gjysmëfinalist është Besëlidhja-Kamza Basket. (A2 Televizion)