Sondazh: A mendoni se figura e Ismail Qemalit njihet sa duhet?
  • Po 17%
  • Jo 78%
  • Nuk e di 6%

Berisha “luftë institucionesh me Bashën, me 4 gusht thërret Këshillin e PD

Nga A2 CNN
1 Gusht 2023, 17:55 | Politikë
Berisha “luftë institucionesh me Bashën, me 4 gusht thërret

Ndonëse ishte artikuluar disa herë në publik një analizë e brendshme brenda grupimit të Sali Berishës, për rezultatin negativ që morën në 14 maj, ky proces ende nuk ka nisur. Edhe pse kanë kaluar gati 3 muaj nga zgjedhjet vendore, Kryesia e PD-së njoftoi se procesi i analizës së brendshme, që ka të bëjë me identifikimin e pasojave që çuan opozitën në marrjen e rezultatit më negativ në histori, do të nisë nga sot, 1 gusht 2023. Po ashtu, në mbledhje u mor vendimi për thirrjen e Këshillit Kombëtar ditën e premte në orën 19.00 për miratimin e dokumenteve përkatëse.

Ndërkohë, nuk ka asnjë vendim për votëbesimin e Sali Berishës. Ky i fundit ka njoftuar se do të zbatojë statutin, që parashikon se në rast humbjeje në zgjedhjet vendore, kryetari duhet të votëbesohet, por deri më tani nuk është hedhur asnjë hap nga ish-kryeministri në këtë drejtim. Ai ka hedhur akuza dhe ka drejtuar gishtin nga Edi Rama, sipas së cilit, zgjedhjet nuk reflektonin realitetin, por se vullneti i qytetarëve u transformua nga pushteti. Mbetet për të parë, nëse Berisha do të votëbesohet të premten apo ky proces do të shtyhet deri në përfundimin e analizës brenda partisë.

Nga ana tjetër, lufta e institucioneve vijon, teksa Berisha ka thirrur Këshillin në 4 gusht, Lulzim Basha tashmë si kryetar i rikthyer i PD-së ka thirrur mbledhjen e Kuvendit Kombëtar në PD në 2 shtator me agjendë që parashikon ndryshimin e statutit, që të gjithë palët në parti po e interpretojnë ndryshme.

Partia Demokratike tashmë ndodhet në një qorrsokak, ku konflikteve të brendshme duket se nuk do i vijë fundi. Kjo sepse teksa flitet për një bashkim mes 2 grupimeve, të Sali Berishës dhe Lulzim Bashës, “në mes tyre” u fut edhe Gazment Bardhi. Të tre palët akuzojnë njëra tjetrën se po punojnë për Edi Ramën dhe duket se lufta brenda PD do të vijojë edhe në këtë sesion parlamentar.

Debat - nga Alba Alishani