Botërori rikthen skedinat, shqiptarët luajnë fshehurazi miliona euro online nga telefoni

Nga A2 CNN
30 Nëntor 2022, 15:13 | Aktualitet
Botërori rikthen skedinat, shqiptarët luajnë fshehurazi miliona

Botërori ka rikthyer skedinat, të paktën disa muaj më herët nga sa ishte parashikuar. Nga viti i ardhshëm bastet sportive pritet të legalizohen sërish, online, pasi veprimtaria e lojërave të fatit u ndalua zyrtarisht më 1 janar 2019. Po teksa kumari është ende i paligjshëm dhe pret rikthimin me një vendim të parlamentit, sot të vendosësh një skedinë është shumë e lehtë. Një telefon është gjithçka të duhet sot për të vendosur baste. Nga komoditeti i pëllëmbës mund të shikosh koeficientët, të plotësosh parashikimet dhe të vendosësh skedinën me shumën përkatëse.

Që nga hyrja në fuqi e ligjit që ndalon bastet, AKEP-it i është kërkuar mbyllja e të paktën 8500 faqeve dhe domaineve. Kush dëshironte të luante pas 1 janarit 2019, për të aksesuar një faqe duhej të instalonte VPN që trukonin vendndodhjen e përdoruesit. Ndërsa pagesa s’mund të bëhej me kartë, por duhej kryer përmes metodave alternative të depozitimit.

Por atje ku nis toleranca apo neglizhenca në rastin më të mirë është se shumë prej atyre faqeve të bllokuara më parë, sot mund të aksesohen sërish lirisht. Nga kompanitë kryesore të basteve në botë, që mund t’i kërkosh shumë thjesht në Google, deri te faqet shqiptare, ku adresa dhe fjalëkalimi të vijnë me anë të një mesazhi.

Motori i kërkimit “Google” tregon se terma si “bet365” sot ka shënuar pikun më të lartë të vitit të fundit falë Botërorit.

Të luash është e thjeshtë edhe fizikisht. Këtu hyn roli i ndërmjetësve, persona që shpeshherë gjenden në lokale lagjesh, që hapin dhe menaxhojnë llogari bastesh, kryesisht të faqeve shqiptare të krijuara enkas.

Operacionet e policisë së shtetit me tituj si “Basti i Fundit” apo “Fati i Lojërave”, krahas lojës së fjalëve kanë zbuluar se fenomeni është sot i përhapur në çdo cep të vendit.

Vetëm vitin e kaluar u proceduan penalisht 203 persona për zhvillimin e jashtëligjshëm të lojërave të fatit. Nëse rastet e kapura do të përbënin së paku 10% të totalit, atëherë sot në Shqipëri do të thotë se luhen çdo vit 30 deri në 50 milionë euro në baste sportive.

Me rikthimin e basteve, qeveria synon të përfitojë taksa nga paratë që shpenzohen gjithsesi për baste. Informaliteti është kaq i lartë, në një kohë kur bastet janë të ndaluara tërësisht. Por çfarë mund të ndodhë nesër me evazionin, kur vëmendja e forcave të rendit do të jetë shumë më e ulët?

Sipas kryeministrit, pastrimi i faqeve të paligjshme do të bëhet nga kompanitë e huaja që do të fitojnë të drejtën të ushtrojnë këtë veprimtari në Shqipëri. Po të njëjtat kompani që sot, me neglizhencë apo me vetëdije shkelin ligjin dhe lejojnë që shqiptarët të vazhdojnë vesin.

https://a2news.com/2022/09/02/rikthimi-i-basteve-efekti-social-nuk-dihet-asnje-studim-pas-ndalimit-te-kumarit/

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani