Çështja e emigrantëve, Rama-britanikëve: Ashtu si ju nuk jeni vetëm Bond e Mr. Bin, as ne nuk jemi vetëm “Taken”

Nga A2 CNN
23 Mars 2023, 12:34 | Aktualitet

Kryeministri Edi Rama ka udhëtuar të mërkurën në Londër ku, ndër të tjera, do të takohet edhe me homologun britanik Rishi Sunak.

Vizitës së kreut të qeverisë në Britaninë e Madhe i kanë dhënë zë disa media britanike në vazhdën e “incidentit” diplomatik të disa muajve më parë mes dy vendeve për emigrantët shqiptarë.

Mail Online ka zbardhur të mërkurën intervistën që Rama ka dhënë për “Today” të BBC Radio 4, këtë mëngjes. Gjatë kësaj interviste, siç përcjell Mail Online, Edi Rama dënoi retorikën e përdorur nga politikanët e vendit ndaj emigrantëve shqiptarë në Britani.

I pyetur nëse po kritikonte mënyrën sesi politikanët britanikë i kanë përshkruar emigrantët shqiptarë që shkojnë në Britani përmes La Manshit, apo stereotipizimin e shqiptarëve, Rama u përgjigj: "Të dyja janë të vërteta."

Dua të them pikërisht atë që është folur nga anëtarët e kabinetit, duke filluar nga Sekretarja e Brendshme... Kjo ka qenë një pikë shumë e ulët në marrëdhëniet tona, por ka një vullnet për ta kapërcyer. Është e vërtetë që me forcimin e bashkëpunimin tonë ka pasur rezultate të dukshme që po i vë në dukje kryeministri këtu dhe qeveria. Por, nga ana tjetër, ne gjithmonë do të refuzojmë të kemi këtë përzierje mes disa kriminelëve dhe shqiptarëve si të tillë, sepse dhënia e një vule etnike për krimin në vetvete është krim,” citohet të jetë shprehur kryeministri Rama.

Po ashtu, Rama kërkoi nga britanikët që të mos lejojnë që “disa mollë të kalbura” t’i japin formë perceptimit të tyre për shqiptarët.

“Ashtu si Britania nuk është James Bond apo Mr. Bean, edhe nuk jemi vetëm “Taken”, u shpreh Rama duke iu referuar filmit të Liam Neeson ku shqiptarët portretizohen si trafikantë të qenieve njerëzore.

Kujtojmë se deklaratat e Suella Braverman në tetor të vitit të shkuar shkaktuan përplasje diplomatike mes dy vendeve pasi, gjatë një fjalimi në Parlament, ajo foli “për kriminelë shqiptarë që po lejohen të futen në Britani.”

“Gjakrat” mes dy vendeve u qetësuan pas nënshkrimit të një marrëveshjeje dypalëshe mes Ramës dhe homologut Sunak në dhjetor, me anë të së cilës synohet trajtimi i emigracionit të paligjshëm në Britaninë e Madhe.

“Ne jemi këtu si një komunitet i rëndësishëm dhe po punojmë si shoferë, në ndërtim, në kuzhina dhe madje edhe po këndojmë për ju djema”, tha Rama për BBC Radio 4 duke shtuar se çështja e Kanalit Anglez është komplekse, “por shqiptarët nuk janë vetëm ata të gomoneve.” (A2 Televizion)

https://a2news.com/2022/11/03/rama-retorika-britanike-per-shqiptaret-ulerima-nga-nje-cmendine/
https://a2news.com/2023/03/21/rama-ne-londer-takim-me-homologun-britanik-sunak/

A2 CNN Livestream

Latest Videos