Një grup arkeologësh vendas dhe të huaj kanë nisur punën për zbulimin e plotë të Amfiteatrit të Durrësit.
Kërkimet arkeologjike synojnë zbulimin e elementeve të arenës ende të mbuluar, si dhe lidhjen me kodrën ku është mbështetur një pjesë e monumentit.
Ky është hapi i parë për zbatimin e projektit afatgjatë për hapjen e plotë të amfiteatrit dhe po ndiqet nga specialistë dhe arkeologë. Aktualisht, janë duke u kryer sondazhe në pjesën qendrore të amfiteatrit.
Falë një bashkëpunimi të Bashkisë së Durrësit, Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit shqiptaro-amerikan për zhvillim (AADF), pritet zbulimi i plotë i monumentit.
Amfiteatri i Durrësit, më i madhi dhe më i rëndësishmi, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan, është ndërtuar në fillim të shekullit të II të e.s gjatë sundimit të perandorit Trajan.
Ai ka vlera të veçanta arkitekturore dhe artistike dhe mund të krahasohet me monumentet e kësaj periudhe të Pompeit dhe Kapuas në Itali. Amfiteatri ka trajtë elipsi me diametër 136 metra dhe lartësi rreth 20 m. Shkallarja për shikuesit e veshur me pllaka të bardha merrte 16-20.000 veta, ndërsa në arenë zhvilloheshin luftimet e gladiatorëve.
Ky amfiteatër ka arkitekturë romake dhe ndërtimi i tij në qendër të qytetit 351 m larg detit, fillon në rrafshin e arenës 5,5 m mbi nivelin e detit, ndërsa 2/3 mbështetet në kodër. Amfiteatri 1800-vjeçar qëndron mes 30 amfiteatrove të zbuluar të botës antike nga Roma deri në Budapest dhe Lion. (A2 Televizion)