Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, ishte këtë të premte në Prokurorinë e Posaçme, SPAK. Për gati një orë ai iu përgjigj interesit të prokurorëve në lidhje me një kallëzim të bërë prej tij në vitin 2017, kur mbante pozicionin e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë.
“Në konstatimin e një nga abuzimet më të mëdha në historinë e rrugëve në Shqipëri, e cila ishte kontraktuar me 240 milionë euro dhe përfundoi me një kosto 400 milionë euro. Shpjegimet e mia i dhashë në prokurori dhe nuk kam gjë për të shtuar”, deklaroi Gjiknuri.
Kallëzimi i ish-ministrit Gjiknuri për abuzime në projektin e rrugës Tiranë-Elbasan erdhi pas shkeljeve të konstatuara nga një raport auditi i ministrisë që drejtonte. Për abuzime me tenderimin e ndërtimit të këtij aksi rrugor në vitin 2018 ish-Prokuroria për Krimet e Rënda vendosi para përgjegjësisë penale ish-drejtuesin e ARRSH, Dashamir Xhika dhe dy vartësit e tij, Albens Alite dhe Aksel Duka.
Më tej dosja u dërgua për kompetencë në Prokurorinë e Tiranës, ndërsa në vitin 2021 Gjykata e Tiranës pushoi akuzat ndaj tyre. Në të njëjtin vendim, gjykata konstatonte se në procedurën tenderuese kishte shkelje dhe i kërkonte Prokurorisë së Posaçme të gjente personat përgjegjës. (A2 Televizion)