
Serbia kërkon lirimin e të gjithë serbëve të arrestuar në veri dhe largimin e Policisë së Kosovës nga zonat me shumicë serbe, por dëshiron gjithashtu zbutjen e tensioneve të shpërthyera rishtazi.
Këtë e tha presidenti Aleksander Vuçiç, mbrëmjen e së dielës, në një intervistë për agjencinë e lajmeve Reuters.
“Është e rëndësishme që Dejan Pantic dhe shumë serbë të tjerë të arrestuar, të lirohen, pasi nuk ka asnjë provë kundër tyre. Ata i fabrikuan akuzat kundër tyre; Policia e Kosovës nuk ka punë në veriun e vendit, e veçanërisht njerëzit e armatosur deri në dhëmbë”, tha presidentit serb.
Pas takimi të Këshillit të Sigurisë në Serbi, Vuçiç u bëri thirrje serbëve të Kosovës të mos angazhohen në akte të dhunshme kundër trupave të NATO-s dhe EULEX. Ai refuzoi të sqaronte hapat që ishin miratuar në Këshillin e Sigurisë, por i pyetur nëse Beogradi do të përpiqet të çtensiononte situatën, ai u përgjigj: Absolutisht.
Presidenti serb akuzoi autoritetet në Prishtinë në kryeministrin Albin Kurti për nxitje të tensioneve me veprime të njëanshme.
“E gjitha kjo është shkaktuar nga Prishtina. Dikush ka ngritur barrikada në rrugë dhe askush nuk pyet përse ka ndodhur kjo. Bëhet fjalë për një protestë kundër paligjshmërisë, kundër arrestimeve të paligjshme, është një protestë kundër keqtrajtimit të popullsisë serbe”, shtoi Vuçiç.
Me herët, Vuçiç tha se do t’i kërkonte paqeruajtësve të NATO-s të lejonin ushtrinë dhe policinë serbe në Kosovë, edhe pse e pranoi se nuk ka asnjë shans që kërkesa e Beogradit të aprovohet. (A2 Televizion)