
Kryeministri Rama mori pjesë në darkën informale të mbajtur të martën nga Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian për Punët e Jashtme, Josep Borrell me liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Darka është një rikthim në traditën e takimeve jozyrtare me udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor, që shfrytëzohet nga liderët e rajonit për të shkëmbyer mendime me shefin e politikës së jashtme të Unionit. Borrell shpjegoi se kryefjala ishte e ardhmja e Ballkanit Perëndimor përtej procesit të zgjerimit.
“Takimi informal është një mundësi shumë e mirë për të parë situatën dhe sfidat e Ballkanit Perëndimor, që është një rajon shumë strategjik për Europën. Shohim në këtë mënyrë të gjithë gjeopolitikën e rajonit dhe jo vetëm procesin e zgjerimit, angazhimi ynë shkon edhe përtej kësaj çështjeje. Ballkani Perëndimor është një prioritet i Bashkimit Europian dhe mbledhja e sotme shërben për ta bërë të dukshme këtë”, u shpreh Borrell.
Përveç kryeministrit Rama, të pranishëm në takim ishin dhe homologët e tij të Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Serbisë, Malit të Zi dhe Bosnjë–Hercegovinës, si dhe komisioneri i BE për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, i cili shprehu angazhimin e BE-së për t’ia dedikuar këtë vit Ballkanit Perëndimor.
“Takimi i sotëm është një hap shumë i rëndësishëm për ta bërë këtë vit, vitin e Ballkanit Perëndimor. Kemi shumë për të punuar, kemi shumë për të arritur bashkë e për këtë duhet të kontribuojmë të gjithë. I kemi të gjitha gjërat e nevojshme në dorën tonë, e tani na mbetet vetëm t’i përdorim ato për të arritur objektivin”, tha Varhelyi.
Kryeministri Rama zhvilloi dhe një takim edhe me të dërguarin e Posaçëm të BE-së për Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak, i cili e përgëzoi kreun e qeverisë për fitoren e zgjedhjeve më 25 prill. (A2 Televizion)