Një 53-vjeçar ka pësuar lëndime pasi u godit nga një fadromë në liqenin e Pogradecit. Ngjarja ka ndodhur në vendin e quajtur “Plazhi”, ndërsa mjeti që shkaktoi aksidentin drejtohej nga një 31-vjeçar.
Pushuesi është identifikuar si Agron Ketaj, nga Tirana. Ai fillimisht u dërgua në spitalin e Pogradecit, por duke qenë se gjendja e tij paraqitet kritika, u nis me urgjencë, me helikopter, drejt Tiranës, për të marrë mjekim më të specializuar. Ketaj mësohet se ka marrë plagë më kokë dhe shpatull, pasi mjeti i pastrimit e shkeli teksa po qëndronte në plazh.
Policia tha se ka arrestuar tashmë drejtuesin e mjetit, të identifikuar si Denis Piperi.
“Pogradec/Informacion paraprak: Rreth orës 13:50, në vendin e quajtur “Plazhi”, mjeti fadromë që shërben për pastrimin e mbetjeve liqenore, me drejtues shtetasin D. P., 31 vjeç, ka goditur aksidentalisht shtetasin A. K., 53 vjeç (pushues), i cili si pasojë është dëmtuar dhe ndodhet në spitalin e Pogradecit, në kujdesin e mjekëve. Ndërkaq, drejtuesi i fadromës, shtetasi D. P. është shoqëruar në Komisariat, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale. Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarjeje.” (A2 Televizion)
Njoftimi i policisë




