Pas një hetimi 3-vjeçar, Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK), në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, kanë finalizuar operacionin policior të koduar “Radio-ndërlidhja”, në kuadër të të cilit janë vënë në pranga tetë persona, ndërsa pesë të tjerë janë shpallur në kërkim.
Të arrestuarit janë:
Lavdërim (alias Lulzim) Alimani
Skënder Velja
Saba Shehi
Vait Taka
Asim Pulaci
Xhemal Zogu
Shkëlqim Ismaili
Ahmet Pulaci
Të shpallur në kërkim janë:
Bujar Sefa (alias Xaka)
Haxhi Murati
Armand Dërvishi
Edison Xaka
Agron Asllanaj
Sipas njoftimit të SPAK dhe Policisë së Shtetit, mes 13 personave të akuzuar janë edhe punonjës të policisë dhe kryepleq të disa fshatrave, duke pasur parasysh se, këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kultivuar në njësinë administrative Cudhi, Bashkia Krujë, si dhe kanë shitur sasi të konsiderueshme lënde narkotike cannabis sativa.
"Policia e Shtetit, finalizohet megaoperacioni policor antikanabis i koduar “Radio-ndërlidhja”. Megaoperacioni, nga Njësia për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DPPSH, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSH, FNSH Tiranë dhe dvp-të Tiranë dhe Durrës, pas një hetimi intensiv trevjeçar, të drejtuar nga SPAK.
Vihen në pranga 8 shtetas të cilët dyshohet se bashkëpunonin në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, për kryerjen e veprimtarive kriminale të kultivimit dhe shitjes së narkotikëve. Në kuadër të këtij megaoperacioni, shpallen në kërkim 5 shtetas të tjerë, gjithashtu autorë të dyshuar të këtyre veprimtarive kriminale.
Strukturat e Policisë së Shtetit, në qendër dhe në qarqet Tiranë dhe Durrës, si rezultat i hetimeve intensive, proaktive, të zhvilluara për një periudhë trevjeçare, në drejtimin e SPAK, në kuadër të megaoperacionit policor antikanabis të koduar “Radio-ndërlidhja”, kanë ekzekutuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për 8 shtetas, konkretisht:
-L. (L.) A., 33 vjeç, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal;
- S. V., 73 vjeç, banues në Krujë, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal;
-S. Sh., 48 vjeç, banues në Kamzë, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal;
-V. T., 55 vjeç, banues në Klos, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal;
-A. P., 52 vjeç, banues në Krujë, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal;
-Xh. Z., 38 vjeç, banues në Krujë, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal;
-Sh. I., 50 vjeç, banues në Fushë Krujë, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal;
-A. P., 67 vjeç, banues në Krujë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Gjithashtu, në kuadër të megaoperacionit policor antikanabis të koduar “Radio-ndërlidhja”, janë shpallur në kërkim 5 shtetas, konkretisht:
-B. S. (X.), 36 vjeç, banues në Krujë, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal, si dhe për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”;
-A. D., 33 vjeç, banues në fshatin Arrameras, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal;
-E. X., 20 vjeç, banues në Krujë, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal;
-A. A., 42 vjeç, banues në Krujë, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal;
-H. M., 68 vjeç, banues në Krujë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Nga hetimi intensiv, trevjeçar, i kryer me metoda speciale, ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kultivuar në njësinë administrative Cudhi, bashkia Krujë, si dhe kanë shitur sasi të konsidueshme lënde narkotike cannabis sativa.
Megaoperacioni policor antikanabis i koduar “Radio-ndërlidhja” vijon, me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të këtyre veprimtarive kriminale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për veprime të mëtejshme." (A2 Televizion)
NJOFTIMI I POLICISË SË SHTETIT