Gara, rekordet dhe sakrifica... rrëfehet Briken Calja

Nga A2 CNN
6 Nëntor 2018, 16:09 | Sporte të tjera

Vendi i gjashtë në Botërorin e Peshëngritjes në Turkmenistan. Briken Calja vazhdon të shkëlqejë në pedanë, për një tjetër rezultat të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare. 5 rekorde Kombëtare të thyera, në konkurrimin në peshën deri në 73 kilogramë si edhe fitorja personale përballë ish-kampionit olimpik, kazakut Rahimov.

“Mos harrojmë që mposhta edhe një kampion olimpik, që ishte thuajse e pamundur që të arrije një rezultat të atillë dhe të mposhtje një njeri që ka bërë revolucion në peshëngritje, kampion olimpik i padiskutueshëm dhe sportisti më i mirë në Lojërat Olimpike”, thotë Calja në një intervistë ekskluzive për A2 News.

Kampioni kuqezi sfidoi dhimbjen, pas dëmtimit në konkurrimin në stilin e shkëputjes dhe vazhdoi paraqitjen në shtytje. Në fund Calja u klasifikua i gjashti në dygarësh, me 339 kilogramë të ngritura.

“Përpara kampionatit kam qenë i dëmtuar prej gjashtë javësh dhe mendoj që edhe pse i dëmtuar kam bërë një super rezultat, falë edhe mjekut gjeorgjian”, shtoi Calja. “Ishin dy provat e fundit ato që më ndanë nga medalja dhe gjithmonë gara është edhe pjesë e fatit edhe pse rezultatet ishin jashtëzakonisht shumë të mëdha”.

Pas pikëve të rëndësishme për kualifikimin në Lojërat Olimpike, tashmë objektivi i radhës do të jetë Kampionati Europian, aty ku në vitin 2018 u shpall kampion kontinental në peshën 69 kg. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos