Gjenden 2 kallashnikovë në Vaun e Dejës, në kërkim 59-vjeçari! Dyshohet se janë përdorur në ngjarje kriminale

Nga A2 CNN
16 Maj 2023, 10:09 | Aktualitet
Gjenden 2 kallashnikovë në Vaun e Dejës, në kërkim

2 kallashnikovë janë gjetur të fshehura në një banesë në fshatin Vig, e ndërsa është shpallur në kërkim poseduesi i tyre.

Dyshimet janë të forta se këto armë mund të jenë përdorur apo do të përdoreshin për ngjarje kriminale e për pasojë janë dërguar në Institutin e Policisë Shkencore, për ekzaminime të mëtejshme. Kanë qenë denoncimet e qytetarëve që kanë ndihmuar policinë që të gjejnë armët në këtë banesë. Pronari i kësaj shtëpie e kishte braktisur prej gati 5 vitesh, e ndërsa dyshohet se armët i ka fshehur shtetasi P. Gj, i cili e kishte në përdorim këtë banesë kohët e fundit.

Strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Vau i Dejës, në drejtimin e Prokurorisë, vijojnë hetimet e thelluara me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti. E ndërsa ndaj 59-vjeçarit rëndojnë akuzat për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Vau i Dejës

Si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë me qytetarët, sekuestrohen 2 armë zjarri kallashnikov që dyshohet se mund të jenë përdorur apo do të përdoreshin për ngjarje kriminale.

Armët e sekuestruara janë dërguar në Institutin e Policisë Shkencore, për ekzaminime të mëtejshme.

Shpallet në kërkim poseduesi i dyshuar i këtyre armëve, i cili i fshehu kallashnikovët në një banesë në fshatin Vig, të cilën e kishte në përdorim.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës, si rezultat i punës parandaluese, të mbështetur nga inteligjenca informative, me qëllim gjetjen dhe sekuestrimin e armëve të zjarrit që posedohen në mënyrë të kundërligjshme dhe që mund të jenë përdorur apo mund të përdoren për ngjarje kriminale, kanë ushtruar kontroll në një banesë në fshatin Vig (e pabanuar nga pronari i saj, prej 5 vjetësh).

Nga kontrolli në këtë banesë, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 2 armë zjarri kallashnikov dhe 3 krehra armësh.

Si rezultat i veprimeve të para hetimore, dyshohet se armët i ka fshehur në këtë banesë, shtetasi P. Gj., 59 vjeç, banues në fshatin Vig (i cili kishte në përdorim këtë banesë, kohët e fundit).

Shërbimet e Policisë vijojnë punën për kapjen e 59-vjeçarit.

Strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Vau i Dejës, në drejtimin e Prokurorisë, vijojnë hetimet e thelluara me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. (A2 Televizion)

Njoftimi i policisë

A2 CNN Livestream

Latest Videos