Gjykata rumune lë të lirë Andrew Tate, por nuk ikën dot nga Bukureshti

Nga A2 CNN
4 Gusht 2023, 11:48 | Lifestyle
Gjykata rumune lë të lirë Andrew Tate, por nuk ikën dot nga

Gjykata e Apelit të Bukureshtit ka vendosur që të lërë të lirë personazhin e njohur të rrjeteve sociale Andrew Tate, për të cilin është shfuqizuar masa e arrestit në shtëpi.

Tate, vëllai i tij Tristain dhe dy gra rumune do të jenë nën mbikëqyrjen e drejtësisë, një masë më e lehtë kufizuese për ta, por që i privon nga e drejta për t'u larguar nga Rumania, pasi hetimet për akuzat për përdhunim dhe trafikim seksual vijojnë.

Në fillim të kësaj jave, vëllezërit Tate apeluan kundër një vendimi gjyqësor të marrë muajin e kaluar për t'i mbajtur ata në arrest shtëpie për 30 ditë të tjera.

Paraqitja e tyre në Gjykatën e Apelit në Bukuresht erdhi pasi influenceri në qershor u akuzua zyrtarisht për përdhunim, trafik të qenieve njerëzore dhe formim të një bande kriminale për shfrytëzimin e grave.

Tashmë katër të akuzuarit nuk do të jenë në gjendje të largohen nga Rumania ose të udhëtojnë në disa pjesë të vendit, por mund të largohen nga shtëpia dhe të udhëtojnë brenda Bukureshtit dhe Ilfov.

Tate, i cili u arrestua më 29 dhjetor në Bukuresht dhe i ka mohuar akuzat, kishte humbur më parë një sërë apelimesh kundër arrestit të tij shtëpiak. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos