“Ia bën agjendën Rama”, Basha i përgjigjet Berishës: Shpik armiq, për të fshehur dështimin!

Nga A2 CNN
25 Maj 2023, 13:45 | Politikë
“Ia bën agjendën Rama”, Basha i përgjigjet

Një ditë pas rikthimit në politikën aktive ku prezantoi edhe një program me tri shtylla mbi të cilën do të ndërtojë fushatën për të kandiduar në garën për kreun e PD-së, Lulzim Basha është përfshirë në një përplasje direkte me Sali Berishën.

Ish-kreu i demokratëve me një postim në Twitter i është përgjigjur deklaratës së bërë sot nga Berisha jashtë Parlamentit, ku tha se “agjendën ia bën Rama”.

Basha vendos gishtin në plagën e “Rithemelimit”, duke shkruar se nëse ish-kryeministri do të kishte sulmuar Edi Ramën aq sa sulmon ata që mendojnë kundër, nuk do të kishte pësuar humbjen e thellë të zgjedhjeve lokale të 14 Majit.

Sipas Bashës, është Berisha që në kushtet aktuale po vendos hallet dhe interesin personal mbi atë të shqiptarëve.

Të kishte sulmuar Ramën aq sa ka sulmuar ata që nuk mendojnë si ai, rezultati nuk do të ishte ky. Por halli i SB është tjetër nga hallet e qytetarëve. Sot, si dje, ai shpik e kërkon armiq për të fshehur dështimin që mbolli duke vendosur interesin e tij mbi atë të demokratëve”, shprehet ish-kreu i PD-së.

Sakaq, Berisha iu përgjigj me buzëqeshje ironike pyetjes së gazetarëve, lidhur me një garë mes tij dhe Bashës për kreun e PD-së.

Të pyesë Ramën. Ai bën çfarë i thotë Rama. Mos më pyesni mua për agjendën e tij, agjendën e tij e shkruan Rama. Çfarë kërkoni nga unë, atij agjendën ia bën Rama. Ç’të dojë të bëjë asnjë interes nuk kam”, deklaroi ai jashtë sallës së Kuvendit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos