UEFA ka dënuar me 18.750 euro Tiranën, për incidentet e ndodhura në ndeshjen kundër Besiktas, e vlefshme për duelin e kthimit në turin e dytë të Conference League. Për shkak të hedhjes së sendeve të forta në fushë, pushtimi i fushës së lojës, bllokimi i kalimeve publike apo edhe mjetet piroteknike të hedhura në fushë, Tirana ka një gjobë të majme për të paguar në UEFA.
Në total për një sërë shkeljesh, bardheblutë do e paguajnë shtrenjtë humbjen 0-2 në "Air Albania". Kujtojmë se në fillimin e ndeshjes, tifozët e të dyja skuadrave u përfshinë në një sherr masiv. Gjatë sherrit, në fushë janë hedhur sende të forta, si dhe janë dëmtuar një pjesë e stolave të stadiumit. Për shkak të përdorimit të mjeteve piroteknike, arbitri ka shtyrë fillimin e ndeshjes.
Jashtë stadiumit, tifozët janë përplasur sërish duke dëmtuar edhe një automjet. Pas përfundimit të ndeshjes, Policia e Tiranës arrestoi 14 persona nga të dyja skuadrat. Disa prej tyre përballen me kallëzime penale për dhunë dhe dëmtim të pronës. Disa prej tifozëve të arrestuar nga policia u konstatuan se posedonin armë dhe mjete piroteknike. (A2 Televizion)