Titaniku ndodhej pranë Newfoundland në Kanada, rreth 644 km nga bregu kur u fundos në prill të 1912. Tashmë ajo që ka mbetur nga mjeti lundrues, që thuhej se nuk mund të fundosej (the unsinkable), gjendet 3.8 km nën nivelin e detit.
111 vite më pas, një tjetër tragjedi ndodhi vetëm 487 m nga pjesa e parme e rrënojave të Titanikut. Pikërisht në këtë vendndodhje mendohet të ketë shpërthyer nëndetësja “Titan” që mbante në bord pesë persona, të cilët u nisën të dielën e 18 qershorit në një tur për eksplorimin e mbetjeve të Titanikut. Por, për arsye që ende nuk dihen, pesë pasagjerët patën fatin e 1500 pasagjerëve të Titanikut që humbën jetën në ujërat e Atlantikut.
NGJARJA
Katër ditë pasi nëndetësja “Titan” të humbte çdo lloj komunikimi me botën e jashtme, kompania OceanGate që organizon turet turistike në rrënojat e Titanikut, i shpalli të vdekur pesë personat në bordin e nëndetëses.
Në një deklaratë për mediat të enjten pasdite, Roja Bregdetare Amerikane njoftoi zyrtarisht se mjeti lundrues kishte shpërthyer. Koha e shpërthimit do të zbulohet me avancimin e hetimit që është nisur për rastin.
Megjithatë, marina amerikane detektoi një zhurmë që mund përkojë me një shpërthim të dielën, ditën që nëndetësja humbi kontaktet me pjesën tjetër të ekipit përgjegjës të turit, gjë që mund të nënkuptojë se tragjedia ka ndodhur disa orë nga zhytja.
Një përfaqësues i Rojës Bregdetare tha se gjasat që trupat e viktimave të rikuperohen janë të pakta. Sipas zyrtarëve, nga operacionet e kërkimit u gjetën pesë pjesë madhore të mjetit lundrues, pranë sitit ku ndodhet Titaniku.
KUSH ISHIN PASAGJERËT E NËNDETËSES
-Hamish Harding, 58 vjeç, një aventurier britanik që kishte vizituar hapësirën dhe kishte vizituar disa herë polin e jugut.
- Biznesmeni britanik Shahzada Dawood, anëtar i një prej familjeve më të pasura të Pakistanit dhe mbështetës i dy organizatave të bamirësisë të themeluara nga Mbreti Charles.
-Djali 19-vjeçar i Dawood.
- 77-vjeçari Paul-Henry Nargeolet, ish-zhytës i Marinës Franceze i cili thuhet se ka shpenzuar kohë në rrënojat e Titanikut më shumë se kushdo eksplorues tjetër dhe i cili ishte pjesë e ekspeditës së parë në zonën e tragjedisë në 1987.
- 61-vjeçari Stockton Rush, shefi ekzekutiv i Ocean Gate, kompania që operon udhëtimet turistike në rrënojat e Titanikut.
NJË VDEKJE E SHPEJTË
Pasagjerët e “Titanit” kanë gjetur vdekjen e menjëhershme dhe as nuk e kanë kuptuar që diçka po shkonte keq. Kjo është ajo që sugjeron një ish-fizikan i Marinës Amerikane.
Dale Mole tha për BBC se nëse nëndetësja nuk do të kishte shpërthyer, por stafi do të kishte mbetur i bllokuar brenda, skenari do të ishte më i keqi për pasagjerët. Ekspertët shpjeguan se pesë pasagjerët mund të përballeshin me mungesën e oksigjenit, rritjen e nivelit të dyoksidit të karbonit dhe temperatura ekstreme nën zero.
“Mund ta imagjinoni si do të ishte...Ftohtë, me nivelet e oksigjenit në ulje. Nëse s’i kthejmë dot, ky është skenari më i mirë për ta.”
NJË TRAGJEDI E PARALAJMËRUAR?!
Dy ish-punonjës të OceanGate deklaruan për mediat, teksa operacionet e kërkimit vijonin, se ishin pushuar nga puna pasi kishin ngritur shqetësime rreth sigurisë së nëndetëses Titan.
Të njëjtat komente i ka bërë edhe regjisori James Cameron, i cili iu bashkua një rreshti ekspertësh që ngritën zërin për sigurinë e mjetit lundrues.
Cameron tha se një komunitet për zhytje të thella kishte ngritur prej kohësh shqetësime rreth nëndetëses së OceanGate. Ai madje i kishte shkruar kompanisë duke i thënë se “po shkon në një rrugë që do ta çojë drejt katastrofës.”
“Tani kemi rrënoja të tjera që për fat të keq vijnë si pasojë e shmangies së paralajmërimeve,” tha ai.
Ekspertë të tjerë kanë deklaruar se forma që Titani kishte, jo e ngjashme me atë të nëndetëseve të tjera, e bënte që të ekspozohej akoma më shumë ndaj presionit të krijuar nga pesha e ujit.
ÇFARË NËNKUPTON NJË “SHPËRTHIM KATASTROFIK” NË RASTIN E NËNDETËSES?
“Implosion” e kundërta e “explosion” ndodh kur një objekt papritmas shembet në vetvete. Në ato thellësi ka një presion të jashtëzakonshëm mbi mjetin e zhytjes dhe madje edhe defekti më i vogël strukturor mund të rezultojë katastrofik, sipas ekspertëve.
Në ato thellësi, mbi nëndetësen vepron një presion 350 herë më i madh nga ai që kemi në Tokë. Çdo rrjedhje e vogël mund të shkaktojë një shpërthim të menjëhershëm, i cili do të shkatërronte anijen.
Presioni në sipërfaqe matet si 1 atmosferë, që është rreth 103,421 Paskal. Ndërsa kur zhytesh më thellë nën ujë, ai presion vetëm rritet. Në thellësitë ku ndodhen mbetjet e Titanikut, presioni është rreth 421.8417 km për centimetër katrorë.
ÇFARË ËSHTË TURIZMI I NËNDETËSEVE?
Duhen dy orë për të mbërritur në rrënojat e Titanikut dhe dy orë të tjera për t’u kthyer në sipërfaqe, plus kohën që shpenzohet për të eksploruar.
Philippe Brown, themeluesi i kompanisë luksoze të udhëtimeve "Brown and Hudso" thotë se ka një listë shumë të gjatë pritjeje për ekspeditat që organizohen nga OceanGate.
Për disa nga njerëzit më të pasur në botë, një udhëtim me nëndetëse nuk është edhe aq i paarritshëm, thotë Roman Chiporukha, bashkthemëlues i “Roman & Erica”, një kompani udhëtimesh me klientë të “krimbur” në para të cilët paguajnë të paktën 100 mijë dollarë vetëm për anëtarësimin.
Disa ekspedita të tjera janë bërë më parë në rrënojat e Titanikut. Në maj u bë një skanim i plotë digjital i mbetjeve të Titanikut që tregonin të gjithë anijen në 3D.
Mbetjet e Titanikut u zbuluan në vitin 1985 dhe vendi ku ndodhet sot anija është vizituar prej turistëve prej dekadash tashmë.
"OceanGate Expeditions" ka dërguar ekuipazhe të shkencëtarëve dhe anëtarë të ekuipazhit atje, gjatë dy viteve të fundit, megjithëse kompania ka përfunduar më shumë se 10 zhytjeje që nga viti 2010.
Në zhytjen e Titanit megjithatë diçka duket se shkoi keq. E teksa operacionit të kërkim-shpëtimit i erdhi fundit, ajo që do të nisë tashmë është “gjuetia” për përgjigje. (A2 Televizion)