Një shumë rekord prej 2.9 milionë eurosh do të shpenzojnë Italia për t’i bërë ballë pushtimit të gaforreve agresive me ngjyrë blu.
Faktet tregojnë se gaforret kanë ngrënë deri në 90% të molusqeve të reja në birgjet italiane, në pushtimin agresiv që mund të ketë lidhje me ndryshimin e klimës.
Ky pushtim i gaforreve blu po kërcënon rolin e Italisë si një nga prodhuesit kryesorë të molusqeve në botë dhe potencialisht rrezikon një nga pjatat e saj të njohura me makarona. Fluksi i gaforreve mund të rrezikojë pjatën klasike italiane - spageti alle vongole (spageti me molusqe).
Italia është prodhuesi më i madh në Evropë i molusqeve dhe i treti më i madhi në botë pas Kinës dhe Koresë së Jugut, sipas të dhënave të Organizatës së OKB-së për Ushqimin dhe Bujqësinë nga viti 2021.
Por, lloji i gaforreve me origjinë nga Atlantiku perëndimor, është përhapur në disa lokacione të ngjashme me lagunat në Itali, duke dëmtuar ekosistemet ujore.
Akuafarmat e molusqeve në deltën e luginës së lumit Po në Italinë veriore janë goditur më rëndë, pothuajse duke shkatërrruar gjithë prodhimin e këtij viti.
Ministri italian i Bujqësisë, Francesco Lollobrigida, vizitoi deltën në lumin Po të shtunën dhe tha se qeveria do të miratonte fondet emergjente. 2.9 milionë euro do t'u jepen kooperativave të peshkimit dhe fermerëve të ujit që përpiqen të frenojnë numrin e gaforreve blu me një fushatë peshkimi në shkallë të gjerë.
Sakaq, edhe peshkatarët në zonat e prekura janë këshilluar të kapin sa më shumë gaforre blu për të zhdukur numrin e tyre.
Javën e kaluar Emanuele Rossetti, nga Kooperativa e Peshkatarëve të Polesinës, pjesë e luginës së deltës së Po, i tha Reuters se 12 ton gaforre kapej çdo ditë, por me pak ndikim në popullatën e tyre. (A2 Televizion)