“Jemi të gjithë fajtorë”, Mitsotakis premton modernizim të sistemit të trenave

Nga A2 CNN
9 Mars 2023, 15:49 | Ballkani
“Jemi të gjithë fajtorë”, Mitsotakis premton

Protestat masive e detyruan të merrte përgjegjësi të plotë për tragjedinë e rëndë me trenat në Larisa.

“Rrjedhimisht unë marr përgjegjësi. Ne nuk mund dhe nuk duam të fshihemi pas një sërë gabimesh njerëzore. Nëse projekti duplikues do të kishte përfunduar, do të kishte qenë praktikisht e pamundur që ky aksident të ndodhte.”

Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, u kërkoi ministrave të tij që të punojnë më shpejt për të modernizuar sistemin e transportit të vendit. Gjithashtu premtoi kompensim për të gjitha familjet e atyre që humbën jetën në përplasjen e trenave më 28 shkurt në Larisa.

“Jemi të gjithë fajtorë dhe duhet ta pranojmë këtë me guxim. Nga qeveritë dhe administratat që për vite shndërruan një projekt të rëndësishëm në një detyrë të pamundur për tu përfunduar, deri te esnafët që penguan çdo vlerësim të personelit të trenave”, u shpreh kryeministri grek.

Ai përsëriti ndjesën publike.

“Mesazhi dramatik që u dëgjua në Larisa ishte: ‘kurrë më’ dhe tani do të kthehet në një vendim të fuqishëm: ‘tani ose kurrë’, për regjenerimin e të gjithë vendit”, theksoi ai.

Gjatë të mërkurës, më shumë se 60 mijë njerëz protestuan në qytetet kryesore të Greqisë, mes disa prej demonstratave që u shndërruan të dhunshme, si ajo në Athinë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos