Jeta spektakolare si pensionist e ish-sulmuesit të Juventusit

Nga A2 CNN
16 Maj 2023, 17:43 | Futboll

Që kur është tërhequr nga futbolli, Nicklas Bendtner ka shijuar jetën në maksimum. Ish-sulmuesi i Arsenalit dhe Juventusit, sot 35 vjeç, vari këpucët në gozhdë në vitin 2021, kur luante me FC Copenhagen.

Kur luante, pati probleme me varësinë nga kumari dhe madje u arrestua në një rast, pasi rrahu një taksist.

Ndërsa tani, nga profili i tij në Instagram, danezi shihet me veshje të shtrenjta, në vende të ndryshme të botës dhe duke u marrë me sporte ekstreme.

Në shkurt, ai është fotografuar duke bërë zhytje në Filipine. Më parë, kishte ngjitur malet e akullta të Suedisë dhe kishte bërë ski në fshatin austriak të St Anton am Arlberg.

Pushimet e verës i kaloi në Mikonos, ndërsa në Tajlandë shkoi për të mësuar kikboksin.

Sigurisht që jeta e luksit nuk është e plotë pa një makinë fantastike. Përgjatë viteve, Bendtner ka arritur të ndërtojë një koleksion ku nuk mungojnë makinat Aston Martin dhe Porsche.

Gjithashtu, në vendlindje, Nicklas Bendtner ka marrë pjesë në disa spektakle televizive, në njërin prej të cilëve tregonte jetën e tij private me partneren e atëhershme, Philine. Spektakli zgjati dy sezone, derisa çifti u nda. Më pas, ishte protagonist i “Nicolas Pranker”, një spektakël ku ai vetë, i maskuar, i bënte rrengje shokëve të tij.

Ndërsa gjatë karantinës, Bendtner nisi të merrej me videolojëra. Pasioni i tij për “Counter-Strike” bëri që ai të vendoste ngritjen e një ekipi profesionist eSport-i (sportet elektronike). (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos