
Champions League i lë vendin Europa League, ku sërish projektorët do të jenë te skuadrat e Serisë A. Juventusi dhe Roma ëndërrojnë një finale të gjithën italiane, por më parë duhet të kalojnë testet e vështira në aktin e parafundit.
Juventusi do të ndeshet në gjysmëfinale me Sevilla. Edhe pse nuk janë në formën e tyre më të mirë, spanjollët mbeten të frikshëm, pasi janë skuadra më eksperte e këtij turneu. Andaluzianët e treguan këtë duke eliminuar pretendentët kryesorë për fitimin e trofeut, Manchester United. Sevilla synon triumfin e shtatë në Europa League, ndërsa për Juventusin, trofeu do të ishte shpëtimi i sezonit dhe garancia për të luajtur në Champions, gjatë sezonit të ardhshëm.
Edhe Roma kërkon finalen, me Jose Mourinho që pasi i ktheu verdhekuqtë te suksesi ndërkombëtar me finalen e Conference League në Tiranë, tashmë do të synojë triumfin në Europa League. Verdhekuqtë ishin vetëm një minutë larg eliminimit nga Feyenoord në çerekfinale, por pikërisht ajo përmbysje i bën të frikshëm për rivalët.
Bayer Leverkusen i drejtuar nga Xabi Alonso ka cilësi, por fakti që Roma ka humbur vetëm një nga 25 ndeshjet e fundit europiane, i vendos italianët në pozita të avantazhuara. Skuadrat shpresojnë që në duelet e para të hedhin një hap të sigurt drejt finales së Europa League, që do të luhet në Budapest të Hungarisë, më 31 maj. (A2 Televizion)