Kërkimi shkencor dhe teknologjia “prekin” fondet e arsimit

Nga A2 CNN
19 Mars 2023, 15:44 | Ekonomi
Kërkimi shkencor dhe teknologjia “prekin” fondet e arsimit

Për të mundësuar kërkimin shkencor, zhvilluar teknologjinë dhe inovacionin, shkollave dhe universiteteve në vend do t’u jepen 27,5 miliardë lekë në 7 vitet e ardhshme.

Në “Strategjinë Kombëtare për Kërkimin Shkencor, Teknologjinë dhe Inovacionin 2023-2030”, hedhur për Konsultim Publik nga Ministria e Arsimit, parashikohet që deri në fund të kësaj dekade fondi të arrijë në 0,16% të prodhimit të Brendshëm Bruto.

Mirela Karabina, ish-ministre e Arsimit, shprehet për A2 CNN: “Hap pozitiv është sigurisht çdo lloj strategjie, por problemi është se sa ato zbatohen”.

Aktualisht, buxheti për financimin e kërkimit shkencor është rreth 300 milionë lekë, duke ndjekur trajektore të ngjashme në të paktën 4 vitet e fundit dhe duke gati u dyfishuar në raport me vitin 2018.

Por, a mund të pretendojmë rezultate me buxhetin aktual për kërkim shkencor?

“Fondi është ende i ulët për të pasur rezultate në kërkimin shkencor. Pa buxhet nuk mund të pretendojmë as për kërkim shkencor e as për teknologji apo inovacion”, shpjegon Karabina.

Sa duhet të jetë niveli i financimit për kërkim shkencor, teknologji dhe inovacion për të pasur rezultate? Karabina shprehet: “Së paku 0,6 apo 0,7% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, në një kohë që vendet e Bashkimit Europian e kanë 20 herë më shumë”.

Rritja e buxhetit për kërkim shkencor pritet të prekë totalin e fondeve për arsimin e lartë që për këtë vit përllogaritet në 47,2 miliardë lekë, në rritje me 1,5 miliardë në raport me vitin e shkuar.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Erion Dushi