Kurti ‘mbështet’ propozimin franko-gjerman: Nuk bëmë asnjë lëshim për barrikadat

Nga A2 CNN
5 Janar 2023, 19:43 | Kosova
Kurti ‘mbështet’ propozimin franko-gjerman: Nuk bëmë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e nisi vitin e ri 2023 me një intervistë për Zërin e Amerikës ku foli rreth temave kryesore që kanë shqetësuar vendin e tij në kohët e fundit mes të cilave tensionet në veri si dhe cështjen e asociacionit të komunave serbe.

Në lidhje me bllokadën disa ditore nga ana e serbëve në veri, kreu i qeverisë u shpreh se Kosova nuk bëri asnjë lëshim për heqjen e tyre dhe tregon se autoritetet pritën reagimin e KFOR, përpara se të ndërhynin vetë.

“Ne kemi ofruar xhentilesën tonë karshi KFOR-it, i cili kërkoi pak më shumë kohë që të hiqen ato pa ndërhyrjen e policisë tonë. Policia jonë do të ndërhynte para vitit të ri nëse nuk do të hiqeshin barrikadat. Ne i dhamë KFOR-it kohën të cilën e kërkoi sepse natyrisht që më mirë është të hiqen pa intervenim. Pra nuk është që ne i gëzoheshim intervenimit të policisë, ne dëshironim që KFOR-i, i cili për 23 vite vazhdimisht ka afirmuar lirinë e lëvizjes, ta sigurojë atë dhe u bë mirë që ata që i vendosën barrikadat edhe i hoqën ato. Bindja ime e fuqishme është që nga frika edhe i kanë vendosur e nga frika edhe i kanë hequr. Nuk ka pasur kurrfarë marrëveshje”, u shpreh Kurti.

Sa i përket asociacionit, çështje që tashmë po lakohet gjithnjë e më shumë nga partnerët, kryeministri Kurti e ‘justifikoi’ sërish me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duke mos dhënë sërish një zgjidhje.

“Para se unë të bëhem kryeministër janë bërë 33 marrëveshje në Bruksel. Vetëm njëra nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese. Dhe pikërisht në atë insiston Serbia. Dy të tretat e marrëveshjeve nuk i ka zbatuar Serbia ndonëse i ka nënshkruar. Ajo insiston vetëm në këtë. Mirëpo, ju e keni parë edhe në dhjetor, Serbia nuk e ka mendjen te asociacioni i komunave, por e ka mendjen te asociacioni i barrikadave”, tha Kurti.

Më tej, kreu i qeverisë foli dhe për propozimin franko-gjerman, duke e cilësuar atë se përfshin koncepte për një marrëveshje të qëndrueshme, por që Beogradi nuk ka dhënë shenja se është i gatshëm ta pranojë.

“Unë e kam mirëpritur faktin që kemi nocione, koncepte universale si hyrje të këtij propozimi, integriteti territorial, sovraniteti, pavarësia, barazia, sundimi i ligjit, demokracia, vetëvendosja pra të gjitha këto përmenden aty dhe gjuha universale edhe e shton parimësinë por edhe ja jep qëndrueshmërinë marrëveshjes. Duket që kjo i ka penguar më së shumti Beogradit dhe pikërisht për ta ambalazhuar refuzimin e këtij propozimi”, përfundoi Kurti.

A2 CNN Livestream

Parashikimi i motit