
Pas shqetësimeve të ngritura në lidhje me tekstet shkollore, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, ka zhvilluar një takim me drejtuesit kryesorë të rrjeteve profesionale për rishikimin e tyre.
"Nisur nga shqetësimet e ngritura së fundmi në lidhje me ndonjë pasaktësi apo pasqyrim jo të përshtatshëm të realitetit në tekstet tona mësimore, zhvilluam në MAS një takim me drejtuesit kryesorë të rrjeteve profesionale, të cilët u angazhuan që së bashku me stafet e specializuara të rishikojnë në detaje të gjitha tekstet në arsimin tonë parauniversitar".
Sipas saj, edhe pse prej disa vitesh është realizuar reforma e thellë në arsim për tekste më cilësore, Kushi thekson se puna do të vazhdojë pa u ndalur për të garantuar standarde të larta dhe cilësi në të gjitha aspektet e procesit mësimor.
Kushi shprehet se në fokus të takimit kanë qenë edhe zhvillimi profesional i mësuesve, trajnimet e tyre të vazhdueshme, shkëmbimi i përvojave pozitive, si dhe informimi në kohë për risitë në fushën e mësimdhënies. (A2 Televizion)