Mbretëria e Bashkuar plan për deportimin e shqiptarëve, 7 milionë paund në ditë për strehimin e tyre

Nga A2 CNN
2 Nëntor 2022, 16:59 | Aktualitet
Mbretëria e Bashkuar plan për deportimin e shqiptarëve, 7

Mijëra azilkërkues shqiptarë pritet që të depërtohen menjëherë nga Mbretëria e Bashkuar. Kështu raporton media e njohur “Daily Mail”, që thekson se kjo është pjesë e një plani të qeverisë së re të Rishi Sunak për të zbutur krizën me emigracionin e paligjshëm në Kanalin La Mansh. Me këtë veprim, Britania kërkon të shmangë procesin e apelit të azilkërkuesve të refuzuar dhe koston e madhe të strehimit të tyre në hotele apo qendra të tjera, e cila i kushton buxhetit shtetëror deri në 7 milionë paund në ditë.

Lidhur me këtë zhvillim, por edhe debatet e javëve të fundit ka ndërhyrë dhe kryeministri Edi Rama, duke dënuar shënjestrimin e shqiptarëve dhe diskriminimin e tyre, siç tha ai, për të mbuluar politikat e dështuara.

“Kur Gjermania kishte një problem të ngjashëm shtrëngoi sistemet e veta. Mbretëria e Bashkuar mund dhe duhet të bëjë të njëjtën gjë, jo të përgjigjet me retorikë krimi që përfundon me ndëshkimin e të pafajshmëve”, tha Edi Rama.

Media e njohur “The Telegraph”, duke cituar zyrtarë nga qeveria Rama, raporton se faji për dështimin e ndalimit të rrugëve të paligjshme të emigracionit mbetet tek ministria e brendshme britanike pasi nuk ndan informacione me autoritetet shqiptare.

Ndërkohë, një tjetër propozim që po shqyrtohet për të frenuar këtë krizë, është ai i ashpërsimit të ligjit për Skllavërinë Moderne, pasi është shndërruar në pikën e dobët të sistemit të emigracionit. Mediat britanike, duke cituar të dhëna nga ministria e brendshme, shkruajnë se vetëm këtë vit mbi 12 mijë shqiptarë kanë hyrë në vend përmes kanalit La Mansh.

Ministri për emigracionin, Robert Jenrick, i cili pritet të vizitojë së shpejti Shqipërinë, thotë se 10 mijë prej tyre janë meshkuj beqarë, duke aluduar se një pjesë e madhe e tyre bashkëpunojmë me grupe kriminale.

Por menaxhimi i krizës nga qeveria është kritikuar ashpër si brenda ashtu edhe jashtë Britanisë, kryesisht për fjalët e papërshtatshme të zgjedhura nga anëtarët e kabinetit. Ministrja e Jashtme, Suella Braverman, e konsideroi atë që po ndodhte ne bregdetin jugor të vendit një pushtim nga emigrantët. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos