
Ndryshe nga sa kishin paralajmëruar, pedagogët protestues nuk hynë në grevë urie. Ata thanë se janë gati për ngujim, por nuk do ta hedhin këtë hap nëse presidenti i republikës dhe ndërkombëtarët nuk garantojnë siguri për jetën e tyre dhe të familjeve.
“Nëse kjo garanci jepet brenda 3 minutave, 3 orëve apo 3 ditëve, 30 pedagogët hyjnë menjëherë në grevë urie”, tha drejtuesi i sindikatës, Sandër Kovaçi.
Vetëm nëse ky kusht përmbushet pedagogët do të jenë të gatshëm për të hyrë në grevë urie. Pas kësaj tërheqjeje pedagogët në mbyllje të deklaratës u shprehën se misioni i tyre akademik do të vazhdojë, por nuk sqaruan më tej nëse ky është kthim i tyre në fakultete për të dhënë mësim.
Protesta e pedagogëve në universitete nisi në 17 tetor, ditën e parë të vitit akademik dhe vijoi pjesërisht deri në 2 nëntor. Numri i pedagogëve në shesh erdhi në rënie, ndërsa shtoheshin klasat ku zhvillohej mësim.
Ndërkaq 5 universitete ju përgjigjën vendimit të qeverisë për të rritur pagat e stafeve akademike 8%, dukë e çuar në 15% rritjen e rrogave të pedagogëve në Universitetin e Tiranësh, të Mjekësisë, atë Politeknik, në universitetin e Sporteve dhe në atë Bujqësor.
Disa orë më parë, kryeministri Edi Rama u shpreh kështu në lidhje me protestën e pedagogëve për rritjen e pagave: “Një çetë brenda trupës, që është shumë më madhe sesa aq për fat të mirë, një pakicë nën drejtimin e një SHIK-si i cili ka uzurpuar sindikatën e ashtuquajtur të pedagogëve, del me ultimatumin se nëse nuk iu rritën rrogat edhe më shumë se ç’iu rritën, do të hyjnë në grevë urie. Grevë urie për rroga mund të bëjnë vetëm njerëzit pa atdhe, njerëzit pa flamur, njerëzit pa fe, njerëzit pa din e iman”. (A2 Televizion)