Qeveria e re britanike duket se po kërkon ta trajtojë me seriozitet çështjen e emigracionit të paligjshëm në vend, i cili është kthyer në një problem serioz, me mijëra emigrantë që hyjnë përmes detit në ishull, pjesa më e madhe e të cilëve shqiptarë.
Ministrat janë duke hartuar në këtë mënyrë një plan, i cili parashikon kthimin e menjëhershëm të emigrantëve shqiptarë, pjesa më e madhe e të cilëve pasi hyjnë në Britaninë e Madhe, kërkojnë azil.
Sipas këtij plani, emigrantët shqiptarë do të kthehen brenda disa ditësh pas në vendin e tyre që të mos kenë kohë që të kërkojnë azil, pasi Shqipëria konsiderohet si një vend i sigurt dhe emigrantët nga ky vend nuk mund të përfitojnë statusin e azilantit, vetëm në raste shumë të veçanta.
Ligjet aktuale parashikojnë se kur emigrantët mbërrijnë në Mbretërinë e Bashkuara ata duhet të vendosen nëpër hotele, por kjo nënkupton shpenzime të mëdha nga paratë e taksapaguesve britanikë.
Por ekspertët paralajmërojnë se përpjekjet për të riatdhesuar të sapombërriturit në vend pa pasur mundësinë e një procesi ligjor, mund të jetë një masë që shkel ligjin ndërkombëtar.
Aktualisht, taksapaguesit britanikë janë duke paguar të paktën 7 milionë paund në ditë për mijëra azilkërkues që strehohen në hotele, ndërkohë që autoritetet kanë futur në proces vetëm 4% të aplikimeve për azil të personave që kaluan në mënyrë ilegale kanalin, vitin e kaluar.
Qeveria britanike tashmë është e dëshpëruar për të ndaluar të rinjtë shqiptarë - disa prej të cilëve me qëllime kriminale - që kalojnë La Manshin.
Ministri i Emigracionit, Robert Jenrick tha së fundmi se qeveria do të punojë për krijimin e një sistemi të shpejtë për të përshpejtuar largimin e emigrantëve pa të drejtë qëndrimi në Britani.
Ai tha se marrëveshja e nënshkruar vitin e kaluar kishte çuar në kthimin e 1000 shqiptarëve, por këmbënguli se donte të shihte shumë më shumë të kthyer në muajt e ardhshëm. (A2 Televizion)