“Me baltë dhe krimba”, banorët e Shëngjergjit ankohen për ujin e pijshëm: Vjen vetëm një orë në dy ditë

Nga A2 CNN
2 Gusht 2023, 11:22 | Sociale
“Me baltë dhe krimba”, banorët e Shëngjergjit ankohen

Ky është uji i pijshëm që u vjen në rubinetë 800 banorëve të fshatit Shëngjergj në bashkinë e Maliqit. Pamjet nuk kanë nevojë për koment. Mjafton disa çaste te vendos një leckë në markuç dhe shikon përbërësit që vijnë bashkë me ujin. Sikur të mos mjaftojë ndotja, edhe ky ujë u vjen një herë në dy ditë jo më shumë se një orë.

“Një orë e gjysmë ujë kemi në ditë. Dje filluan po e bëjnë me radhë, një ditë një lagje një ditë një lagje. Ky ujë që është nuk pihet është me krimba siç e patë vetë. Edhe për të larë të mos lahemi?!

“Nuk ka ujë fare. Uji nuk është i pijshëm edhe napa që vëmë bëhet me dhera, me krimba dhe zhaba”, thotë një banore.

“Uji vjen i papastër me baltë, me krimba nuk pihet fare. Vjen një orë në dy tre ditë”, shprehet një tjetër.

Edhe pse detyrohen ta filtrojnë me çfarë të mundin, sërish papastërtitë kanë depërtuar duke dëmtuar edhe pajisjet elektroshtëpiake.

“Të gjitha pajisjet që kemi në shtëpi kanë dalë jashtë përdorimit se bllokohen nga dherat e krimbat, është mizerje nuk bën as për t’u larë”, ankohet një tjetër banore.

Ata që nuk kanë mundësi për të blerë ujin për konsum, detyrohen të shkojnë të mbushin me kova në banesa të tjera që kanë hapur puse. Sakaq i kontaktuar jashtë kameras nënkryetari i Bashkisë Maliq Eridjon Rustemi ka bërë me dije se thatësira e ditëve të fundit ka bërë që një nga puset që furnizon me ujë të pijshëm fshatin ka humbur nivelin e ujit në depozitë dhe kjo ka sjellë reduktimin e orareve të furnizimit me ujë të pijshëm, si dhe ndotjen fizike të ujit. E ndërsa shkaku është gjetur, zgjidhja mbetet ende për t’u parë.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Dita jonë 2024