Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, ka paralajmëruar operatorët e transportit urban se do t’u revokohet licenca nëse nuk do të vijojnë normalisht punën.
“Premtimi im ka qenë për të gjithë operatorët se kush nuk del sot në punë do të humbasin automatikisht licencën. Më rezulton deri në këtë orë të gjithë kanë dalë në punë. Por ftesa ime është se në 2023 nuk është kjo mënyra për të ecur përpara. Nuk ecet përpara me ultimatume. Jo me këtë kryetar bashkie dhe me këtë Bashki të Tiranës. Nuk bëhet kjo në një fundjavë mes korrikut edhe gushtit. Dhe nuk bëhet kjo në të vetmin qytet që në fakt subvencionon transportin publik, paguan edhe për studentët që udhëtojnë falas, që i ka kompensuar edhe naftën operatorëve. A janë këto kushtet ideale? Jo nuk janë kushtet ideale, por Bashkia e Tiranës nuk mund të kompensojë ato që operatorët bëjnë në të zezë ose informalisht. Ne mund të kompensojmë vetëm ato që janë realisht në faturat e shtetit dhe në raportimet që bëhen pranë Bashkisë së Tiranës dhe institucioneve financiare të Republikës së Shqipërisë.”
Më tej, kryebashkiaku theksoi se operatorët e transportit publik duhet të formalizohen.
Nga gjimnazi i ri “Myslym Keta”, në Kombinat, Veliaj po ashtu njoftoi se së shpejti do të vihet në funksion linja publike e transportit kryeqytetas.
“Çdo faturë që është imagjinare apo që ndodh në të zezë për ne nuk ka mundësi se si të justifikohet. Kështu që kërkesa për ta është formalizimi. Unë këtë mësim që nxora këtë fundjavë do ta shfrytëzojë për të ecur akoma më shpejt me një linjë publike dhe me ndërtimin e një Autoriteti të Transportit Publik”, nënvizoi Veliaj. (A2 Televizion)