Nga nesër, nisin aplikimet për shkollën e lartë! Kushi mesazh studentëve

Nga A2 CNN
28 Korrik 2023, 12:27 | Sociale
Nga nesër, nisin aplikimet për shkollën e lartë! Kushi

Duke nisur nga dita e nesërme, 29 korrik, çdo maturant mund të aplikojë në portalin UAlbania për të zgjedhur listën e degëve ku dëshiron të studiojë.

Rezultatet e provimeve dhe mesatarja janë kriteret kryesore për t’u shpallur fitues në të gjitha degët dhe universitetet. Afati i aplikimit është deri më 3 gusht.

Teksa e ka cilësuar si një moment vendimtar për të ardhmen, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, ka pasur një mesazh për të gjithë studentët.

“Të dashur maturantë dhe ju të rinj e të reja që dëshironi të vazhdoni studimet e larta në Shqipëri! Duke filluar nga nesër, datë 29 korrik e deri në datën 3 gusht, portali UAlbania do të jetë i hapur për aplikimet tuaja në programet që dëshironi të ndiqni. Ky është një moment shumë i rëndësishëm për të gjithë ju, pasi zgjedhja që do të bëni do të përcaktojë drejtimin profesional dhe të ardhmen tuaj.

Në varësi të rezultateve të deritanishme dhe preferencave që keni, unë ju ftoj të vlerësoni edhe programet e studimit të hapura në kuadër të procesit të ndërkombëtarizimit, si dhe veçanërisht programet e shpallura prioritet kombëtar, në të cilat mund të përfitoni përjashtim nga tarifat dhe bursë mujore sa paga minimale. Këtë vit përfitues të këtyre bursave do të jenë studentët pavarësisht notës mesatare, por gjithmonë duke plotësuar kriteret e pranimit për çdo program studimi.

Gjithashtu, këtë vit, për herë të parë ju vjen në ndihmë edhe kredia studentore, e cila do të mbulojë tarifën e studimit dhe kostot e jetesës për ndjekjen e një programi studimi, të ciklit të parë ose të dytë.

Uroj sa më shumë prej jush t'i shfrytëzoni maksimalisht këto mundësi, për të vazhduar studimet në Shqipëri e pas diplomimit të jetoni, punoni e jepni kontribut për Shqipërinë tonë”, thuhet në deklaratë.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Erion Dushi