Ndikojnë temperaturat, shtohen vizitat te mjeku psikiatër në Vlorë

Nga A2 CNN
31 Korrik 2023, 15:21 | Sociale
Ndikojnë temperaturat, shtohen vizitat te mjeku psikiatër në

Stina e verës dhe veçanërisht temperaturat e larta siç po kalon vendi në këto ditë, janë një faktor negativ për personat që kanë probleme apo çrregullime mendore. Madje përveç personave që tashmë njihen si pacientë, temperaturat e larta, po ndikojnë që të shfaqin probleme edhe personat që nuk janë të kartelizuar më parë.

Në spitalin psikiatrik të Vlorës dhe qendrës komunitare, këto ditë vërehet një shtim i numrit të vizitave te mjeku psikiatër. Madje kjo rritje është më e madhe se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

“Vëmë re që në stinën e verës kemi rritje të numrit të vizitave dhe shtrimeve”, thotë Stilian Lepuri, mjek psikiatër në Vlorë.

Por cilat janë simptomat dhe moshat që kërkojnë ndihmën mjekësore te psikiatri? “Zakonisht në këtë periudhë janë shumë të shpeshta çrregullimet e ankthit”, thotë Lepuri.

Në shtimin e numrit të vizitave tek mjeku psikiatër kanë ndikuar edhe shtetasit e huaj, të cilët janë me leje qëndrimi të rregullt në Vlorë. “Shumica janë italianë, të grupmoshave të ndryshme”.

Mjeku psikiatër rekomandon që veçanërisht në këto ditë të nxehta të evitohet ekspozimi në diell në oraret e pikut, marrja e rregullt e medikamenteve, si edhe shmangia e konsumimit të alkoolit ose lëndëve narkotike. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos