Messi refuzoi ofertën 755 mln euro!

Nga A2 CNN
2 Nëntor 2018, 12:37 | Futboll

Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi janë dy nga ikonat e futbollit që prej vitesh me radhë janë në elitën e këtij sporti dhe si të tillë edhe futbollistët e ëndërruar për çdo skuadër.

Por sigurisht që transferimi i tyre ka kosto të lartë e megjithatë në merkaton e kësaj vere të gjithë u befasuan kur portugezi lëvizi nga Reali i Madridit drejt Juventusit. Por një vit më parë kemi qenë pranë një tjetër lëvizje, ndoshta edhe më të bujshme.

Media spanjolle, “Mundo Deportivo” ka shkruar së fundmi se Manchester City kishte bërë një ofertë marramendëse një sezon më parë për të transferuar yllin e argjentinas të Barcelonës. Ofertë e cila do të kishte thyer çdo rekord në botën e futbollit sa i përket shifrave të transferimit të lojtarëve.

Sipas medias spanjolle, pronari i Cityt, Sheikh Mansour ishte i përgatitur për të vënë në tryezë një çmim të pabesueshëm për yllin argjentinas. Për të transferuar argjentinasin në Premier League, Mansour ishte gati të paguante plot 755 milionë euro.

“Mundo Deportivo” pretendon se Messit iu dha një kontratë me vlerë 50 milionë euro në vit. Përveç kësaj, gazeta spanjolle zbulon se 50 milionë euro të tjera do të shkonin edhe për babanë e lojtarit, Jorge. Megjithatë, transferimi i ëndërruar nga anglezët, i cili do të bënte sërish bashkë Guardiolan e Lionel Mesin nuk ndodhi. Argjentinasi vazhdon të jetë pjesë e Barcelonës, madje tashmë si kapiten dhe me një kontratë të re, të nënshkruar saktësisht një vit më parë, në muajin nëntor të 2017-ës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos