
Për herë të parë në zemrën e një njeriu është zbuluar përmbajtje mikroplastike e përdorur në paketimin e ushqimeve dhe bojëra.
Grimcat, të cilat janë më pak se pesë milimetra të gjata i përkasin llojit të plastikës njëpërdorimshe, në këtë rast shishet dhe ambalazhet e ushqimit, që më pas lëshohen në ajër, ujë dhe ushqim.
Ky zbulim u bë nga një ekip në Spitalin Anzhen të Pekinit në Kinë, i cili mblodhi mostra të indeve të zemrës nga 15 pacientë që i nënshtroheshin një operacioni në zemër, si dhe mostra gjaku të marra para dhe pas operacionit.
Nëntë lloje plastike u gjetën në pesë lloje të indeve të zemrës. Dhjetëra deri në mijëra pjesë mikroplastike individuale u zbuluan duke përdorur një lazer dhe imazhe infra të kuqe, por sasitë ndryshonin midis pacientëve.
Mikroplastika u gjet në të gjitha mostrat e gjakut dhe në indet e zemrës, me shkencëtarët që besojnë se ato janë thithur ose gëlltitur.
Në gjak, plastika mund të ngjitet në membranën e jashtme të qelizave të kuqe të gjakut dhe mund të ndikojë në aftësinë e tyre për të transportuar oksigjen.
Ato gjithashtu lidhen me zhvillimin e kancerit, sëmundjet e zemrës dhe demencës, si dhe me problemet e fertilitetit.
Ky zbulim tronditës vjen vetëm pak kohë pasi një tjetër studim arriti në përfundimin se një person thith çdo javë mikroplastikë me përmasat e një karte krediti.
Shkencëtarët kanë zbuluar më parë mikroplastikë në mushkëri, trurin dhe gjakun e njerëzve të gjallë dhe të vdekur, por ende ekziston debati se nga se grimcat mund të hyjnë në trupin e njeriut.