
Të paktën 9 viktima, porte e diga të shkatërruara në Rimini, aeroporte e shkolla të mbyllura. Është ky bilanci paraprak i reshjeve të dendura të shiut që kanë përfshirë vendin fqinje.
Mbrëmjen e së hënës ekipet e shpëtimit rikuperuan trupin e një gruaje në Val di Sole, e atë të një sërfisti të përplasur në shkëmbinj nga era.
Shumë jahte e barka u dëmtuan, ose u përmbytën. Aeroporti i Genovas do të mbetet i mbyllur deri pasditen e së martës, për shkak të erërave të forta që e mbushën pistën me mbeturina. Është dëmtuar rëndë edhe rruga për në Portofino, qytet që tani mbetet i izoluar.
Pjesëmarrësit në maratonën e këtij viti në Venezia, vrapuan përmes ujit që në disa pika arrinte deri tek gjuri. E megjithatë kjo vetëm sa e shtoi entuziazmin e garuesve. “Është fantastike. Maratona më e veçantë ku kam marrë pjesë”, thotë një garues.
Moti i keq ka përfshirë të gjithë rajonin e Mesdheut e në shumë qytete është aktivizuar alarmi portokalli. Ekspertët e meteorologjisë e vënë theksin tek rritja e ndjeshme e fenomeneve ekstreme. (A2 Televizion)