Ndërron jetë njeriu që kapi Che Guevarën

Nga A2 CNN
8 Maj 2023, 11:31 | Bota

Më 8 tetor 1967, një patrullë në Bolivinë jugperëndimore kapi një nga figurat kryesore të revolucionit kuban gjatë Luftës së Ftohtë: Ernesto “Che” Guevara. Në krye të patrullës ishte Gary Prado Salmón, i cili vdiq, këtë të shtunë, në moshën 84-vjeçare. Lajmin e bëri të ditur djali i gjeneralit, Gary Prado Araúz, përmes rrjeteve sociale.

“Zoti sapo e thirri babanë tim në Mbretërinë e tij. Ai na lë një trashëgimi dashurie, ndershmërie dhe guximi. Ishte një person i jashtëzakonshëm”, lexohet në mesazh.

Prado Araúz ka raportuar për agjencinë e lajmeve Efe se babai i tij kishte “një infeksion të përsëritur” që ishte përkeqësuar nga pneumonia dhe më vonë me nga një problem i veshkave.

Gjenerali Prado Salmón mori famë më 8 tetor 1967. Atë ditë, në krye të Divizionit të Tetë, ai arriti të kapte një nga figurat më të rëndësishme të revolucionit kuban: Che Guevara, i cili ishte plagosur në atë kohë. Prado Salmón ishte gjithashtu përgjegjës për ta çuar atë tek eprorët e tij. Dhe, një ditë më vonë, ushtari bolivian Mario Terán Salazar zbatoi udhëzimin për ta ekzekutuar.

Megjithatë, pavarësisht rëndësisë së ngjarjes, për gjeneralin kjo nuk ishte “gjëja më e rëndësishme që ai bëri në jetën e tij”, thotë i biri.

“Për të, më e rëndësishmja ishte të ndihmonte që Forcat e Armatosura të bëheshin një institucion demokratik, duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet”, tha djali i gjeneralit të ndjerë.

Në vitin 1981, Gary Prado Salmón u detyrua të largohej nga aktiviteti i tij, kur u qëllua aksidentalisht në shpinë nga njëri prej shokëve të tij. Që atëherë, ai duhej të përdorte një karrige me rrota.

Që nga ai moment filloi të ushtrojë profesione të ndryshme. Veçanërisht i fokusuar në politikë dhe shkrim. Në të parën nga dy sferat, ai ishte këshilltar i liderit të Lëvizjes së Majtë Revolucionare, atëherë presidenti Jaime Paz Zamora; Ai gjithashtu shërbeu si ambasador i vendit në Mbretërinë e Bashkuar dhe dha mësim në universitet. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos