Në pranga dy përgjegjës të Agjencisë së Barnave, shpërdoruan detyrën dhe morën para

Nga A2 CNN
27 Janar 2023, 11:45 | Kronikë
Në pranga dy përgjegjës të Agjencisë së Barnave,

Shkonin si kontrollorë shtetërore në farmaci të ndryshme në kryeqytet dhe pasi gjenin shkelje, iu kërkonin nga 30 deri në 50 mijë lekë ryshfet farmacistëve për të mos i gjobitur.

Kjo skemë abuzimi ka çuar në pranga dy zyrtarë të Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe shpallur në kërkim një të tretë. Policia e Tiranës njoftoi arrestimin e Besiana Xhelilit, 38 vjeç, përgjegjëse në Agjencisë e Barnave dhe specialistit, Luan Cici, 35 vjeç, djali i një ish-prokurori të shkarkuar nga vetingu. Për llogari të të njëjtit hetim, të drejtuar nga prokurori i prokurorisë së kryeqytetit, Bledar Valikaj, u shpall në kërkim edhe Armando Luka, specialist tek Barnat.

Sipas burimeve policore, 38-vjeçarja Xhelili çonte vetëm dy specialistët Cici dhe Luka për kontrolle nëpër farmaci të ndryshme në kryeqytet, ndërkohë që kishte 15 punonjës në sektor. Ajo dyshohet edhe për marrje ryshfeti për përshpejtimin e procedurave të barnave tek kompanitë farmaceutike.

Hetimi ndaj zyrtarëve të Agjencisë Kombëtare të Barnave nisi 2 vjet më parë pas gjetjes së disa barnave kontrabandë në farmaci të ndryshme në kryeqytet, që dyshohet se janë favorizuar nga punonjësit e Agjencisë së Barnave. Në vijim të hetimit, u ngritën dyshime se punonjës të Agjencisë kërkonin ryshfet në këmbim të mosvendosjes së gjobave, apo raportimit të shkeljeve që konstatonin nëpër farmaci. Në ditët në vijim të arrestuarit do të përballen me gjykatën për caktim të masave të sigurisë në të cilën do të hetohen për akuzat e “korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “shpërdorim të detyrës”.

Finalizohet si rezultat i një hetimi disamujor të ndjekur me metoda proaktive, operacioni policor i koduar “Farmacisti”, për gjurmimin dhe goditjen e rasteve të korrupsionit dhe të shpërdorimit të detyrës.

Operacioni, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës.

Shpërdoruan detyrën dhe morën para, për të mos raportuar shkeljet që kryheshin nga subjektet farmaceutike ku ata ushtronin kontroll, vihen në pranga 2 shtetas dhe shpallet në kërkim 1 tjetër.

Të arrestuarit, përgjegjësja dhe specialisti i Agjencisë së Barnave, ndërsa i shpalluri në kërkim, një tjetër specialist i kësaj agjencie.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, si rezultat i një hetimi disamujor, të ndjekur me metoda proaktive, me qëllim konstatimin e rasteve të korrupsionit dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të autorëve të tyre, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar "Farmacisti".

Si rezultat i këtij operacioni, u vunë në pranga shtetasit:

- B. Xh., 38 vjeçe, banuese  në Tiranë, përgjegjëse e Agjencisë së Barnave;

- L. Ç., 35 vjeç, banues në Tiranë, specialist i Agjencisë së Barnave.

Gjithashtu, në vijim të veprimeve hetimore-procedurale për këtë rast, u shpall në kërkim shtetasi A. L., 28 vjeç, specialist i Agjencisë së Barnave.

Nga veprimet hetimore të kryera në kuadër të operacionit “Farmacisti”, ka rezultuar se këta shtetas, në cilësinë e punonjësve të Agjencisë së Barnave, ushtronin kontrolle në subjekte të ndryshme farmaceutike dhe duke shpërdoruar detyrën, merrnin shuma parash, për të mos raportuar shkeljet ligjore që kryheshin nga këto subjekte.

Vijon puna për kapjen e shtetasit A. L., si dhe për evidentimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos