Në qeli për inceneratorët, GJKKO i mundëson Lefter Kokës trajtimin mjekësor jashtë burgut

Nga A2 CNN
25 Nëntor 2022, 10:53 | Politikë
Në qeli për inceneratorët, GJKKO i mundëson Lefter

Gjkko vendos t’i japë mundësi ish ministrit Lefter Koka të marrë trajtim mjekësor edhe jashtë mjediseve të paraburgimit për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, sa herë të jetë e nevojshme.

Ditën e djeshme, Apeli i Posaçëm kishte rrëzuar një tjetër kërkesë të Lefter Kokës për zbutjen e masës së sigurisë. Në këtë çështje, Koka kishte ankimuar masën “arrest me burg” për çështjen e inceneratorit të Elbasanit, ndërsa ndaj tij është në fuqi edhe një masë tjetër arrest me burg për inceneratorin e Fierit.

Në arsyetimin e vendimit, gjykatësi Erjon Bani sqaron se edhe pse gjendja shëndetësore e ministrit mund  të përkufizohet “midis asaj të rëndë dhe veçanërisht e rëndë”, refuzimi i zbutjes së masës arrest me burg vjen nga fakti që Koka dhe akuza ndaj tij cilësohen si me rrezikshmëri të lartë.

 Më në detaj, neni 230 pika 2 dhe 3 i Kodit Penal nënvizon se një person në gjendje të të tillë shëndetësore nuk duhet të mbetet në burg në rast se dënimi është më i vogël se 10 vjet heqje lirie, por në rastin e akuzës ndaj Kokës, “parashikohet një dënim jo më pak se 15 vite burgim deri në 35 vite burgim”, që rrëzon pikën 2.

Gjithsesi, Koka mund të transferohet në Qendrën Spitalore Universitare Tiranë ose në institucionet spitalore rajonale në varësi të saj, kur kjo të nevojitet, duke i garantuar “trajtimi dhe kujdesi shëndetësor si çdo qytetar tjetër i Republikës së Shqipërisë që është në kushtet e lirisë”, siç shprehet GJKKO në arsyetim.  

Koka akuzohet për “korrupsion”, “shpërdorim detyre” dhe “pastrim të parave”. Sipas SPAK, ish-ministri dyshohet se ka përfituar 3,7 milionë euro ryshfet, gjatë procedurës koncensionare të ndërtimit të inceneratorit të Elbasanit dhe rreth 1,2 milionë euro ryshfet në rastin e inceneratorit të Fierit.

https://a2news.com/2022/11/24/inceneratoret-apeli-refuzon-kerkesen-e-kokes-per-zbutje-te-mases/
https://a2news.com/2022/10/17/paralajmerimi-i-avokatit-lefter-koka-eshte-i-semure-por-gjalle-do-te-dalin-fakte-qe-nuk-i-keni-degjuar-deri-tani/

A2 CNN Livestream

Dita jonë 2024