Një javë pasi zyrtarët amerikanë thanë se Ukraina po dislokonte trupa shtesë në kundërofensivën e saj, lëvizja është e kufizuar në linjat e frontit jugor me luftime të përqendruara në dy pjesë të rajonit të Zaporizhzhia, sipas videove dhe deklaratave të disponueshme nga burime zyrtare.
Në të njëjtën kohë, zyrtarët ukrainas vazhdojnë të ftohin pritshmëritë për përparimin e operacionit, ndërsa zyrtarët e emëruar nga Rusia në jugun e pushtuar pohuan se përpjekjet e Ukrainës për të thyer linjat ushtarake ruse janë mposhtur.
Kanalet pro-ruse në Telegram kanë postuar imazhe dhe video të armaturës së shkatërruar ukrainase, megjithëse është e paqartë se kur dhe saktësisht se ku u goditën pajisjet.
Por forcat ukrainase kanë luftuar për të thyer shtresat e mbrojtjes ruse pasi kurthe tankesh dhe fushat e minuara ngadalësojnë përparimin e tyre.
Sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes së Ukrainës, Oleksiy Danilov e përshkroi dendësinë e minave ruse në rajonet e pushtuara si "të çmendur".
“Detyra kryesore për ne është të shpëtojmë jetët e njerëzve tanë në front. Duhet të kuptojmë se armiku është përgatitur shumë mirë për këto ngjarje, me një numër të madh territoresh të minuara. Mesatarisht ka 3-4-5 mina për metër katror. Imagjinoni sa e vështirë është puna për t'i hequr ato për të lejuar ushtrinë tonë të lëvizë më pas. Dhe nëse më herët kishte shpresa se kjo mund të bëhej me ndihmën e pajisjeve të ofruara nga partnerët tanë, sot njësitë tona po bëjnë një punë shumë të vështirë në këmbë në shumë pjesë të vijës së frontit gjatë natës”.
Danilov tha në televizionin ukrainas të mërkurën se nuk kishte afate për kundërsulmin e Ukrainës.
“Askush nuk mund të na caktojë afate përveç vetes. Së dyti, nuk ka orar. Unë kurrë nuk e kam përdorur shprehjen "kundërsulm". Ka operacione ushtarake. Ato janë komplekse, të vështira dhe varen nga shumë faktorë”, u shpreh ai.
Pavarësisht vështirësive, ushtria ukrainase tha se një pozicion rus në sektorin e Zaporizhzhias ishte eliminuar, së bashku me një depo municioni. Kievi ka postuar video të sistemeve shtesë të artilerisë vetëlëvizëse “Zuzana” të ofruara nga Sllovakia.
Rreth zonës së Bakhmutit, ukrainasit nuk kanë raportuar ndonjë përparim të mëtejshëm, por kanë postuar video të shënjestrimit të pozicioneve ruse.
Blogerët ushtarakë rusë kanë postuar video të goditjes së automjeteve të këmbësorisë ukrainase në këtë zonë. Një nga blogerët (Readovka) tha se “ushtria ruse vazhdon të zmbrapsë sulmet e AFU në veriperëndim të qytetit të Bakhmutit”.
Luftimet më të ashpra po zhvillohen tani afër Klishchiivka, një fshat në jug të Bakhmutit që ukrainasit janë përpjekur ta pushtojnë prej disa javësh.
Në veriun e largët, në drejtim të Kupyansk, Ministria Ruse e Mbrojtjes thotë se tanket e fshehura mirë po ofrojnë mbështetje për këmbësorinë, duke siguruar përparimin e trupave ruse.
Por edhe këtu nuk ka asnjë tregues që secila palë po merr dhe po mban territor domethënës. (A2 Televizion)