Niveli më i ulët në 1 vit, inflacioni vijoi rënien në prill, por çmimet mbetën sërish të shtrenjta

Nga A2 CNN
8 Maj 2023, 14:51 | Ekonomi
Niveli më i ulët në 1 vit, inflacioni vijoi rënien në

Inflacioni shënoi nivelin më të ulët që nga nisja e luftës në Ukrainë, teksa ra edhe në Prill, për të gjashtin muaj me radhë. Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se për të njëjtën shportë artikujsh, duhet të shpenzojmë 4.6 për qind më shumë se ekzaktësisht një vit më parë.

Kontributin më të madh në rënien e inflacionit e ka dhënë rënia e çmimeve të karburanteve që nga rreth 240 lekë një vit më parë zbriti në rreth 180 lekë muajin e shkuar. Sipas INSTAT, inflacioni te transporti gjatë prillit shënoi madje nivele negative, të ngjashme me periudhën e para pandemisë.

Me gjithë rënien e inflacionit të përgjithshëm, ndikuar nga zhvlerësimi i euros, normat e larta të interesit apo dalja në treg e prodhimit vendas, çmimet e ushqimeve dhe pijeve vijuan të ishin të shtrenjta muajin e shkuar.

Inflacioni te kjo kategori përllogaritet në 9.6 për qind, por duke rënë nën 10% për herë të parë në një vit.

Rënia e inflacionit të vend po shkon në linjë të ngjashme me parashikimet e Bankës së Shqipërisë e cila parashikon që treguesi të kthehet në objektivin 3 për qind në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm.

Në eurozonë ndërkohë, ndryshe nga vendi ynë, çmimet e mallrave u shtrenjtuan me 7% në Prill, të ndikuara veçanërisht nga ushqimet.

Në rast të një forcimi të euros, ekspertët druhen se ky shtrenjtim do të reflektohej edhe në vendin tonë, duke rindezur shkëndijat e inflacionit.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Dita jonë 2024