Pak javë pasi nuk arriti të fitonte në primaret e organizuara nga Partia Demokratike për të qenë ai kandidati i PD për Bashkinë e Kamzës, Shemsi Prençi shfaqet në takimet elektorale të Enkelejd Alibeajt në këtë qytet.
Në zgjedhjet e brendshme të 4 dhjetorit, Prençi mori vetëm 207 vota, ndërsa në Kamëz u shpall fitues Arjan Hoxha me 2095 vota.
Prençi duket se mbështet kandidatin e zgjedhur nga grupimi Alibeaj për të synuar rikthimin e Kamzës në drejtimin e Partisë Demokratike, Bilbil Bajraktari.
Ky i fundit u cilësua nga Alibeaj si një njeri me reputacion, vizion dhe pro perëndimor. “Kryefjalë në të gjithë Bashkitë e Shqipërisë është papunësia, mungesa e investimit dhe rendit publik. E sidomos plaga më e madhe mbetet shpopullimi. Familjet janë të përgjysmuara, e ato që kanë mbetur, janë të pashpresa. Jemi të bindur se së bashku mund t'ia dalim që ti kthejmë pushtetin e tyre qytetarëve të bashkisë Kamëz”, tha Alibeaj përmes një postimi në Facebook. (A2 Televizion)